Vulini “egërsohet” pas arrestimit të mikut spiun në veri | Vuçiçi thotë se u ka vendosur “spiunë” liderëve botërore
Pasi iu arrestua miku spiun në Kosovë, Aleksandër Vulin flet për ndarje të mëdha botërore. Zëvendëskryeministri i Serbisë kërkon që vendi i tij të braktisë plotësisht aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Europian, me arsyetimin se rendi aktual global ka vdekur. Vulin pretendon se perëndimi e konsideron Serbinë një “pykë” që duhet eliminuar në Ballkan përpara përballjes me Rusinë, ndërsa përsëriti propagandën e zakonshme se pavarësia e Kosovës nuk do të pranohet kurrë.
“Bota serbe duhet të jetë përgjigja jonë, ajo duhet të jetë një e tërë. Unë e respektoj atë që tha Dodik për ndarjen paqësore, pasi nuk është e kufizuar në kohë. Unë e perceptoj atë si një përpjekje për të formuluar qëndrimin dhe ndjenjat e popullit serb në një platformë politike”, tha Vulin.
Për trazira botërore foli dhe vetë presidenti Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë përmbylljes së fushatës në Nish, ndërsa konfirmon se ndihet i trimëruar të luftojë tashmë edhe kundër fuqive të mëdha. Madje thotë se u ka vendosur nga 3 apo 4 “spiunë” liderëve botërore në lindje dhe perëndim.
“E di që bota po përballet me një kohë të vështirë dhe do të jetë një barrë e madhe si për ne ashtu edhe mbi supet tona. Prandaj është e rëndësishme që ne të jemi sa më shumë të bashkuar, së bashku, për të luftuar, por edhe për t’i zgjidhur gjërat”, u shpreh Vuçiç.
Ivica Daçiç, ministër i brendshëm luajti rolin e një nxitësi tifozësh, por në baza etnike.
Më pas provokoi duke thënë se Kosova do të jetë Serbi përgjithmonë.