Vulini në bashkëpunim me ‘RTS’-në publikojnë dokumentarin propagandues kundër UÇK-së

16 mars 2022 | 12:46

Ministria e Brendshme e Serbisë e drejtuar nga miku i Vladimir Putinit, Aleksandër Vulin dhe televizioni publik serb kanë bashkuar forcat për të bërë atë që dinë më mirë, propagandën tipike serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtri kjo që kishte lindur si rezultat i aspiratës së popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe çlirim nga regjimi gjenocidal i shtetit të Serbisë në krye me kriminelin e luftës Sllobodan Millosheviq.

Në këtë seri propaganduese të dokumentarëve kundër UÇK-së të titulluar “Dosja e Kosovës-98”, propagandohet se kinse janë zbuluar gjëra të panjohura për publikun deri tash, të ndodhura në qershorin 1998 në Opterushë e Rahovec.

Autorja e kësaj serie, Sladjana Zaric, e ka falënderuar Aleksandër Vulinin për mbështetjen në realizimin e një propagande të tillë.

Zaric e cila nuk ngurron që ta cilësojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “terroriste”, propagandon për ngjarje që kinse sipas saj kanë ndodhur në vitin 1998 e ku “100 serbë ishin rrëmbyer”

“Dëshirojmë të sjellim, do të thosha, për herë të parë, dëshmi shumë tronditëse të pjesëtarëve të kombësisë shqiptare të dhëna gjatë procesit gjyqësor në Tribunalin e Hagës, të cilat u zhvilluan kundër Fatmi Ljimajt dhe Ramush Haradinajt” ka thënë Zaric, shkruan “telefgraf.rs”.

Vulini si sponzorues i kësaj propagande serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ditë më parë ka nderuar kriminelin e luftës, Sllobodan Millosheviq, i cili ka vdekur në Hagë pa e marrë verdiktin e drejtësisë për krimet monstruoze dhe masakrat kundër civilëve të pafajshëm dhe të paarmatosur në Kosovë për të cilat shteti i Serbisë është përgjegjës. /GE/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për akcizën…