Vulini: Serbia duhet të kërkojë marrëveshje për ndarje me Kosovën
Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vulin, ka thënë se shteti serb duhet të kërkojë marrëveshje për ndarje me Kosovën, me qëllim që të përfundojë kontesti, i cili sipas tij po e dëmton integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE).
Beogradi refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, ku jetojnë 120 mijë serbë, megjithë presionin nga Brukseli, ndaj Beogradit dhe Prishtinës, që t’i përmirësojnë raportet si parakusht për anëtarësim në BE, raporton agjencia e lajmeve “Reuters” nga Beogradi.
Duke folur në një tryezë të rrumbullakët për Kosovën, Vulini nuk ka specifikuar se cila pjesë ai beson se do të duhej të ndahej, por në thirrjet e ngjashme të bëra në të kaluarën, është theksuar pjesa veriore e Kosovës.
“Përcaktimi i vazhdueshëm dhe i saktë i kufijve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve duhet të bëhet në Kosovë”, ka thënë Vulini në një tryezë të rrumbullakët, në kuadër të dialogut kombëtar në Serbi për Kosovën.