Vulini shfaq nacionalizmin e tij, fyen BE-në e Amerikën
Zëvendëskryeministri i Serbisë, i sanksionuar nga Amerika dhe mik i ngushtë i Moskës Aleksandar Vulin, deklaroi së fundmi se BE-ja asnjëherë nuk e ka përmbushur premtimin e saj për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit, prandaj, siç thotë ai, ka humbur besimin në Bruksel dhe institucionet evropiane. Ai ka thënë se Serbia kurrë nuk do ta përmbushë pritjen kryesore evropiane – njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Unë nuk do të ndryshoj politikën time dhe nuk do të ndalem së avokuari për bashkimin e serbëve, botës serbe, neutralitetin ushtarak dhe marrëdhëniet më të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Ndryshe nga ShBA-ja dhe NATO, Rusia dhe Kina nuk na kanë bombarduar apo kërkuar që ne e njohim Kosovën ose të heqim dorë nga Republika Srpska”.
Këto janë fjalët që dolën nga goja e zëvendëskryeministrit Vulin në një intervistë për gjermanin Junge Freiheit që u publikua në RTV.
Në tekstin “Aderimi në BE nuk është opsioni i vetëm për Serbinë”, nënpresidenti Vulin theksoi se ai është një euroskeptik, por se koalicioni qeverisës në Serbi është i vendosur të bëhet anëtare e BE-së.
“Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, por nuk do të ndalemi së kujdesuri për interesat tona. Tingëllon egoiste, por kemi mësuar nga më të mirët. Bashkëpunimi ynë afatgjatë me BE-në ka sjellë rezultate të dukshme. Falë guximit të presidentit Aleksandër Vuçiq, Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndaj edhe vendi ynë zhvillon një politikë të pavarur ekonomike”.
I pyetur nëse mund ta imagjinonte anëtarësimin në BE me kusht që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, Vulin theksoi se njohja e Kosovës është krejtësisht e papranueshme për Serbinë.
“Është territori serb që na është vjedhur. Tani nuk mund të thuhet: ‘Gjëja më e rëndësishme është që serbët që jetojnë atje të qetësohen dhe t’u jepen disa të drejta’. Evropa nuk kursen as para dhe as mjete të tjera për të rivendosur kufijtë e Ukrainës. Pse nuk vlen kur është fjala për Serbinë?”, ka thënë Vulin.
Ai po ashtu ka kujtuar se pesë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën.