Vullnetarët në luftën kundër koronavirusit, heronjtë e ditëve tona
Dhjetëra absolventë të Mjekësisë, programerë, profesorë, gazetarë, i kanë lënë familjet e tyre dhe po e ndihmojnë vendin në përballje me epideminë e koronavirusit.
Ata që në orët e hershme të mëngjesit e deri në orët e vona të mbrëmjes janë “në vijën e parë të frontit”, duke iu shërbyer qytetarëve në karantinën e vendosur në Qendrën e Studentëve.
Thonë se Kosovës i duhet ndihma në situata të vështira.
Sipas tyre në këtë ditë të rënda është shumë e rëndësishme të tregohet solidaritet e humanitet mes njerëzve.
Ekipi i “Ekonomia Online” ka qëndruar për disa orë pranë këtyre njerëzve të vullnetit të mirë.
Gjëja e parë që na vjen ndër mend kur dikush përmend “vullnetarizmin” është “të mos paguhesh”, por për ta e rëndësishme është që t’i ndihmohet Kosovës në këto ditë të vështira duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre dhe të familjarëve dhe asgjë tjetër.
Ata po e japin energjinë e tyre, duke qenë të gjithë hisedarë në ballafaqimin me sfidën ndaj pandemisë botërore.
Në vazhdim do t’ju sjellim rrëfimin e disa prej tyre, të cilët që nga ditët e para, çdo ditë nga mëngjesi deri në orët e vona të mbrëmjes janë me qytetarët e karantinuar në QS.
Për vullnetaren Entela Koci, e cila është studentë e vitit të 6-të të mjekësisë, ky ka qenë obligim profesional por edhe obligim ndaj atdheut.
“Krejt kemi dëshirë me dhënë diçka për atdheun e mua më ka ardhur mundësia më dhënë krejt çka kam në këtë situatë”, tha Koci, e vetëdijshme se po rrezikon.
Ajo thotë se ka momente kur ndjehen të rrezikuar, por janë të trajnuar mirë për këto situata. “Rrezikun e kemi ditur por e mira që duam të bëjmë po na shtyn ta tejkalojmë frikën nga infektimi”, tha Koci.
E pyetur nëse ka pasur telashe më familjarët ajo duke qeshur shprehet se po ka ekzistuar një frikë e tillë. “Ata kanë frikë se po infektohemi dhe e transmetojmë virusin. Kushdo që jeton me ne marrim masat, nuk kemi kontakt me ta edhe pse jetojmë në një shtëpi”, tha ajo.
Edhe një vullnetare tjetër, e cila nuk preferoi t’i publikohet emri, është studente e Mjekësisë. Thotë se këtë po e bën për humanizëm. “Solidariteti, humaniteti janë pikat kryesore që më kanë shtyrë t’u ndihmojmë, së pari kolegëve tanë, e pastaj banorëve që ta kalojmë sa më lehtë këtë krizë”, tha ajo.
Sipas saj, ka ditë që lodhen shumë por vullneti bën që edhe me pak orë gjumë të nesërmen të paraqiten sërish në Qendër.
Ajo u bën thirrje edhe njerëzve të tjerë që t’iu bashkohen në këtë betejë.“U bëj thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi të kontribuojnë . O sot, o kurrë është koha tu ndihmojmë njerëzve”, tha ajo.
Ajo ka treguar se vullnetarët janë të ndarë në dy grupe dhe i kanë përgjegjësitë e ndara. “Jemi të ndarë në dy ekipe, ekipi i logjistikës dhe ekipi mjekësor.
Ekipi i logjistikës; tri herë në ditë shpërndajmë shujta në ora 9, 14 dhe 18.
Ekipi mjekësor një herë në ditë futemi në karantinë dhe i pyesim për shqetësimet, nëse kanë ndonjë sëmundje kronike. Shpesh barnat i blejmë me financat tona. Pastaj shohim nëse kanë simptoma të Covid 19 dhe i udhëzojmë në Qendrën e Mjekësisë”, tha ajo.
Absolventi tjetër i Mjekësisë, Alban Ahmeti, nga Malisheva, komunë kjo më e prekura në Kosovë nga COVID -19, bashkë me të fejuarën e tij shërbejnë si vullnetarë.
“Para 21 viteve kur ka filluar lufta ata që kanë pasur mundësi i janë bashkuar luftës me armë kurse sot neve mas 21 viteve na ka ardhur mundësia me shpreh dashurinë për vendin tonë, me tregu që ne jemi këtu për t’i ndihmuar Kosovës”, tha ai.
Ahmeti tregon thotë se kjo punë po e bën të ndjehet mirë andaj u ka bërë thirrje të gjithë atyre që munden le t’iu bashkohen.“Është ndër herët e rralla që ndjehem krenarë për veten”, tha ai.
Valbona Mazreku- Selimi, me profesion gazetare, është nënë e dy fëmijëve dhe si shpesh herë të tjera kur vendi ka nevojë ajo punon vullnetarisht në ndihmë të komunitetit. “Kur vendi yt ka nevojë për ndihmë, nuk do të thotë se vetëm një grup të bashkohet. Po e citoj një mik timin që thotë: ‘Nuk është obligim qytetar vetëm pjesëmarrja në zgjedhje, por edhe të kontribuosh për vendin tënd’. Të gjithë vullnetarët po bëjnë punë të mirë”, tha ajo.
Ajo ndjehet e lumtur sepse çdo ditë vullnetarët marrin mirënjohje prej banorëve, stafit të QS-së, policisë dhe të gjithë qytetarëve.“Unë jam nënë e dy fëmijëve kam në shtëpi edhe dy pleq dhe e kam mposhtur frikën. Lufta kundër Covid-19 nuk është luftë e pamundur vetëm duhet t’iu përmbahemi rregullave”, thotë mes tjerash Valbona.
Ajo ndan momente të vështira dhe të mira gjatë kohës së shërbimit si vullnetare. Thekson se ndihet keq sidomos kur sheh varfëri.“Unë vij në ora 8 në qendër dhe dalë në ora 21. Lodhje kemi është punë mjaft e rëndë fizike. Kemi edhe sjellje jo të mira të banorëve, por në mbrëmje kur gjej pak minuta, ndjehem e plotësuar sepse e di që edhe një ditë më shumë kam kontribuar për vendim tim”.
Valbona u bën thirrje njerëzve që kanë mundësi të ndihmojnë Kosovën në këto ditë të rënda. “Çudia që po më bën në këtë kohë është se në rastin tërmetit në Shqipëri krejt njerëzit dhanë për qytetarët e Shqipërisë dhe nuk po e shoh një iniciativë të tillë as për Kosovën, as për ne si vullnetarë. Në kohën e tërmetit treguan një humanizëm të lartë… Duhet ta bëjmë edhe për Kosovën”, porosit ajo.