Vullnetarët për virologë në luftë kundër koronës
Instituti gjerman për Virologjinë Robert Koch po kërkon vullnetarë që përdorin smartwatch dhe janë të gatshëm t’i vënë në dispozicion të dhënat e tyre për të ndihmuar në mospërhapjen e virusit.
Sigrun Späte nga Dortmund e mban pothuajse gjithmonë me vete orën e saj Smartwatch. Por tani të dhënat që mat dhe regjistron ora si pulsi, rrahjet e zemrës, hapat apo fazat e gjumit Sigrun Späte nuk i mban më vetëm për vete, por ia vë në dispozicion Institutit gjerman për Virologjinë Robert Koch (RKI).
“Unë dua t’u ndihmoj shkencëtarëve që të mbledhin sa më shumë të dhëna që të jetë e mundur në mënyrë që ta luftojnë virusin korona”, thotë ajo për DW. “Kjo është arsyeja pse po marr pjesë në këtë projekt”, tha ajo. Që nga dita e sotme personat që kanë Smartwatch mund t’ua vënë në mënyrë anonime në dispozicion të dhënat e tyre virologëve të RKI-së.
Ndryshimet në ritmin e gjumit, të aktivitetit fizik apo një rritje e rrahjeve të zemrës kur dikush nuk po kryen ndonjë aktivitet – janë për studiuesit sinjale, se dikush mund të jetë infektuar me virusin Corona. Me këtë RKI do të krijojë një hartë që tregon përhapjen e virusit.
Të dhëna sa më të sakta për përhapjen e virusit korona
Shpresojmë që në këtë projekt të marrin pjesë shumë vetë, thotë Presidenti i RKI-së Lothar H. Wieler, sepse “sa më shumë njerëz të na vënë të dhënat e tyre në dispozicion, aq më të sakta bëhen gjetjet tona për përhapjen e virusit korona”. Wieler shpreson së këto të dhëna do të ndihmojnë për të identifikuar vatrat e infeksionit dhe kjo mund të ndihmojë për të gjykuar më me saktësi për efektivitetin e masave kundër koronës dhe përhapjen e saj.
Në Gjermani dhe disa vende të tjera të Evropës po diskutohet dhe punohet aktualisht për një aplikacion për të regjistruar se kush mund të ketë pasur kontakt apo të ketë qenë pranë personave të infektuar dhe kush mund të jetë infektuar. Për këtë mund të përdoren të dhëna të përfituara me Bluetooth ose GPS. Sidoqoftë, ende nuk është e qartë saktësisht se si do krijohet aplikacioni i ri në luftë me virusin korona.