Vuniqi: Po punojmë në shumë fronte për njohje të reja
Shteti i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës në shkurt të këtij viti është Barbadosi. Qe tetë muaj nuk është siguruar asnjë njohje e re për vendin. Në bllokimin e njohjeve të reja vlerësohet se ka ndikuar ideja e fundit e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për “korrigjimin e kufirit” me Serbinë, lobim agresiv, si dhe pasivizimi i diplomacisë kosovare.
Për këtë çështje zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Rejhan Vuniqi, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se diplomacia kosovare është duke punuar në tri fronte. “Kosova u njoh së fundmi nga Barbadosi, si dhe po ashtu vendosi marrëdhënie diplomatike me Bangladeshin, Guinea-Bissaun, Çadin dhe Liberinë”, ka thënë Vuniqi.
Numri dy i diplomacisë kosovare ka bërë të ditur se në muajt e fundit Kosova ka punuar intensivisht në disa fronte: Së pari për të rritur numrin e njohjeve, së dyti për t’i forcuar marrëdhëniet e Kosovës me vendet që tashmë e kanë njohur Kosovën dhe së treti për të penguar diplomacinë serbe që të dëmtojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe së fundmi lobimi për anëtarësimin e vendit në INTERPOL, si një objektiv kyç strategjik i politikës së jashtme gjatë këtij viti.
Sipas saj, edhe dialogu Kosovë – Serbi si dhe zhvillimet ndërkombëtare kanë bërë që të ketë ngecje të njohjeve të reja. “Dialogu luan rolin e vet, ndërsa vendet presin një marrëveshje përfundimtare, e cila do t’i lehtësonte ato për të marrë një vendim. Ne kemi marrë mesazhe të tilla, por edhe ndryshimi i zhvillimeve ndërkombëtare, ku vendet gjithnjë e më shumë po preferojnë të mbesin neutrale, zhvillimet e brendshme në disa vende, gjeografitë e largëta dhe mungesa e interesit në Evropën Juglindore janë disa nga arsyet e tjera, që janë specifike për secilin vend”, ka theksuar Vuniqi.