Vuniqi pret në takim përfaqësuesit e 12 bizneseve turke, diskutohen mundësitë e investimeve në Kosovë
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Rejhan Vuniqi, në shoqërim edhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kanë pritur në një takim të përbashkët në Ministrinë e Punëve të Jashtme përfaqësuesit e 12 bizneseve turke nga Shoqata “Rumelisiad”.
Më këtë rast, zëvendësministrja Vuniqi dhe ministri Lluka i kanë njoftuar mysafirët për mundësitë e mëdha, që ekzistojnë për investime në vendin tonë, në veçanti për sektorët, që ofron mbështetje Ligji për Investime Strategjike, duke i ftuar ata që të investojnë në Kosovë.
Nga ana tjetër, kryetari i kësaj shoqate, Omer Kumova, i ka falënderuar përfaqësuesit e Institucioneve të vendit për mikpritjen, duke theksuar se për dallim prej herëve të tjera janë kthyer me një optimizëm të madh.
“Jemi të inkurajuar nga klima, që është krijuar nga ana e Qeverisë së Kosovës, me reformat e saj ligjore, si dhe nga niveli i rritur i cilësisë së bizneseve në Kosovë për të bashkëpunuar me to”, është shprehur Kumova.
/Epoka e re/