Vushtrria befason Dritën
Vushtrria ka shkaktuar befasi të madhe në javën e 13-të të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt).
Në Vushtrri skuadra vendase e mposhti Dritën e Gjilanit me rezultat 30:29. Drita ishte favorite e madhe për këtë ndeshje, por nuk ia doli të fitojë. Vushtrriasit shkëputjen e madhe e bënë në pjesën e parë të cilën e fituan me 17:12. Në minutën e 49-të rezultati u barazua në 25:25 e më pas gjilanasit kishin epërsi 26:25, 27:26, 28:27 e 29:28. Në minutën e 58-të Vushtrria barazoi rezultatin në 29:29 dhe në minutën e 59-të shënoi golin e fitores, 30:29.
Shabanaj me 10 gola ishte më efikasi te Vushtrria, kurse 8 gola i shënoi Musa. Te Drita nga 9 gola i shënuan Misini e Cimili. Vushtrria tani i ka 11 pikë në vend të pestë derisa Drita mbetet e katërta me 18 pikë.
Në dy ndeshjet tjera të luajtura të shtunën, favoritët nuk lejuan befasi. Besa Famgas fitoi ndaj Zhegrës në Pejë me rezultat 41:13, ndërsa Prishtina e mposhti Drenicën në Drenas me rezultat 46:23.