Vushtrria dhuron 54 tonë ndihma për të përmbyturit në Fier
Një kontingjent prej 54 tonelatash me ndihma ushqimore dhe ushqime për bagëtitë janë dërguar nga Vushtrria në Shqipëri për t’i dalë në ndihmë zonës së Fierit, e cila është prekur më së rëndi nga përmbytjet e fundit.
Apelit të kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, për t’i ndihmuar banorët e Fierit me të cilët kjo komunë është e binjakëzuar, i janë përgjigjur pozitivisht disa nga bizneset vendore: “Ariani”, “Apetiti”, “Edona”, mulliri “Zekolli” në Maxhunaj, “Agro Vin” “Vipa Pestova” “Emona Center”, “Emona City”, salloni i automjeteve “Alberti”, “Molitoria” dhe mulliri i “Meti Supiut”.
Të gjitha këto kompani kanë shprehur gatishmërinë të solidarizohen me vëllezërit nga Fieri për ta përballuar sadopak situatën e krijuar në atë anë.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka vlerësuar lart ndihmën që po ofrojnë institucionet dhe bizneset e Vushtrrisë drejt zonave të prekura nga vërshimet që ndodhën në Shqipëri. Ndërsa kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku dhe nënkryetari Dibran Përçuku, kanë monitoruar deri në Shqipëri kontingjentin me ndihma për banorët e zonës së Fierit.