Vushtrria ndali në barazim Besën
Një ndeshje shumë interesante është luajtur të dielën mbrëma në Vushtrri, në një ambient të bukur sportiv dhe para një numri të madh shikuesish.
U përballën Vushtrria e Besa Famgas, ndërsa pikët u ndanë në fund. Ndeshja e xhiros së 24-t të Superligës A të Kosovës në hendboll përfundoi 31:31. Ekipi pejan ishte në epërsi deri në minutën e 18-të kur rezultati u barazua në 10:10. Më pas vendasit ishin në epërsi prej një goli, kurse deri në fund të pjesës së parë u luajt ndeshje thuajse e barabartë. Në minutën e 44-t, Besa Famgas u shkëput 27:22, por për pesë minuta Vushtrria barazoi në 27:27. Arbios Mushkolaj shënoi për 31:30 nga shtatmetërshi.
Në anën tjetër Halim Miftari u tregua i vëmendshëm dhe shënoi për 31:31 në minutën e 59-të. Në fund të dy skuadrat dështuan në sulm dhe rezultati nuk ndryshoi. Bozhidar Nikoçeviq i shënoi 11 gola për Vushtrrinë, derisa shtatë i kishte Felippe Teixeira. Te Besa Famgas, nëntë gola i shënoi Arbios Mushkolaj, derisa gjashtë i kishte Jon Muqolli. Besa Famgas udhëheq në tabelë me 42 pikë.
Vushtrria ka fituar pikë të rëndësishme në garën për plejof. Është e pesta me 23 pikë, sa i kanë edhe Rahoveci në vendin e tretë dhe Prishtina në të katërtin.