
Vushtrria shokon Ferizajn, Tërstena shënon golin e fitores dramatike
Qëndresa Tërstena ka shënuar 22 sekonda para fundit për fitoren e madhe të Vushtrrisë ndaj Ferizajt. Të dielën mbrëma në Vushtrri, skuadra vendase fitoi 34:33 ndaj Ferizajt në derbin e parë të xhiros së 11-të të Superligës së Kosovës në hendboll.
Për Vushtrrinë është vetëm fitorja e katërt këtë edicion dhe përfundimisht më e madhja deri më tani. Ferizaj i kishte tetë fitore rresht, ndërsa tashmë është në seri prej dy humbjeve. Ndeshja kishte fund dramatik. Dhe në minutën e fundit hendbollistja e re, Tërstena, gjuajti saktë për fitoren e vlefshme.
Ferizaj ishte kohë të gjatë në epërsi, ndërsa në minutën e 49-të rezultati u barazua në 28:28. Më pas vendaset kaluan para 31:29, por Ferizaj u kthye në 32:31.
Burneta Rama shënoi për 33:32 në minutën e 59-të, para se Elsa Kongjeli të shënonte për 33:33. Por në fund shënuan vendaset për festën e madhe.
Burneta Rama udhëhoqi Vushtrrinë me 10 gola. Sevdanur Ozkan i kishte gjashtë, ndërsa Agnesa Hysa pesë. Nga katër gola i shënuan Qëndresa Tërstena, Gentiana Basholli e Fetane Uzunlar.
Dhjetë gola për Ferizajn i shënoi Elsa Kongjeli. Tetë i kishte Luljeta Sopjani, gjashtë Lorena Matarova e katër Salematou Camara.
Të dielën u luajt edhe ndeshja Besa – Prishtina. Fitore shënoi skuadra pejane me rezultat 33:19. Edona Radoniqi udhëhoqi Besën me 12 gola, derisa gjashtë i shënoi Samanda Konjuhaj. Te Prishtina, shtatë gola i realizoi Angelika Luberecka, derisa pesë i shënoi Nurije Çekaj.
Besa është e shtata me tetë pikë. Prishtina mbetet e fundit me një pikë.