VV ankohet: 1700 pako janë lënë jashtë numërimit
Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një njoftimi ka theksuar se sekretariati i KQZ nuk po zbaton vendimin e Gjykatës Supreme.
LVV në një njoftim në faqen zyrtare Facebook ka shkruar se Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Enis Halimi, nuk po i lejon që të gjitha pakot me fletëvotime të trajtohen, por vetëm një pjesë prej tyre duke lënë jashtë procesit të numërimit 1700 pako me fletëvotime.
Vetëvendosje thotë se kjo është shkelje e vendimit të Gjykatës Supreme dhe e të drejtës për të votuar të qytetarëve tanë, dhe se sipas tyre është tallje me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët po presin që drejtësia të vihet në vend pa ngurrim e pa mëdyshje.
Po ashtu në njoftim thuhet se sonte dhe deri nesër në mëngjes Kryeshefi nuk i lejon stafin e KQZ që të procedojnë sipas vendimit të Gjykatës Supreme edhe ato 1700 pako me zarfe, LVV do ta procedon në gjykatë.
“Vendimi i Gjykatës Supreme ishte shumë i qartë. Dispozitivi i tij saktësonte që pakot me fletëvotime nga jashtë Kosovës duhet të numërohen nëse ato janë dërguar me kohë pra, para datës 5 tetor.
Prej fillimit ka pasur hezitime të pavendta nga administrata dhe Komisioni Qendror Zgjedhor për një çështje e cila u vërtetua tashmë disa herë që është e qartë dhe është e drejtë që i takon bashkatdhetarëve tanë.
Ne padyshim që jemi të detyruar t’i drejtohemi sërish Gjykatave dhe do të kërkojmë sërish që edhe ato 1700 pako me fletëvotime të mbetura të trajtohen. Por këtë herë jemi të detyruar të kërkojmë përgjegjësi edhe për mosveprim e për anashkalim të zbatimit të vendimit të Gjykatës Supreme. Madje për zvarritjen prej fillimit të procesit të trajtimit të këtyre pakove”, shkruan LVV në Facebook.
Ndryshe numërimi i këtyre fletëvotimeve pritej të fillonte në orën 17:00, por ende nuk ka filluar.