VV gjobitet me 35 mijë euro – Mbështetësit e Kurtit ngritën tre gishtat në Skënderaj, simbol nacionalist serb

03 shkurt 2025 | 18:59

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 35 mijë euro për dhjetë ankesa të reja që ka dorëzuar Partia Demokratike e Kosovës. Një prej ankesave ka qenë lidhur me tubimin e mbajtur javën e kaluar në Skenderaj, ku sipas ankesës, mbështetësit e VV’së të mbledhur në këtë tubim kishin ngritur tre gishta lartë, simbol nacionalist serb, i përdorur nga forcat paramilitare serbe në luftërat në Ballkan.

Në ankesën e dorëzuar nga PDK’ja pretendohet se me 27 janar 2025 në tubimin e mbajtur në Skënderaj, janë publikuar disa fotografi, në rrjetet sociale dhe mediat elektronike të mbështetësve të LVV’së, të mbledhur në këtë tubim, “duke ngritur tre gishta lartë, gjest i cili është simbol ekskluziv serb, i cili në tre vitet e fundit ka marrë ngjyrime nacionaliste, pasi u përdor nga forcat paramilitare serbe në luftërat e zhvilluara në Ballkan”.

Kjo ankesë është aprovuar si e bazuar.

Aty citohet edhe përgjigja e Vetëvendosjes për këtë ankesë.

“Në përgjigjen për ankesën 248/20225, të subjekitt politik LVV, pretendohet se shkrimi i bashkangjitur në fotografi nuk dëshmon asgjë as vendin as personin që do të ndërlidhte me subjektin LVV, madje për një vrojtues të rëndomtë ndoshta mund të dakordohemi se vetëm një Flamur vërehet mirëpo asgjë tjetër lidhur me gjendje faktike”, thuhet në vendimin e PZAP.

Ankesat tjera janë për gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes. Përmenden deklaratat e Kryeministrit Albin Kurti, Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetes Fitore Pacolli, deputetit Dimal Basha, Ministrit Faton Peci e Koordinatores së Komiteteve në VV, Dejona Mihali.

Tetë prej ankesave që janë pranuar si të bazuara janë të datës 29 janar, e dy të datës 30 janar.

Lëvizja Vetëvendosje detyrohet që gjobën në vlerë prej 35 mijë euro ta paguajë në afat prej 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.

Ndryshe, në tubimin në Skënderaj pati tensionim të situatës. Kryeministri Kurti u prit me brohoritje “Thaçi, Thaçi” si dhe “PDK”. Më pas u hodhën edhe mjete piroteknike, e ishte i nevojshëm edhe intervenimi i Policisë./Reporteri.net.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale reagon për…