VV-ja e përkrahu bllokun francez ku bën pjesë kundërshtari i pavarësisë, Jean-Luc Melenchon
Sipas rezultateve preliminare nga zgjedhjet në Francë, fitues ka dalë blloku majtist, Fronti i Ri Popullor, për të cilin Lëvizja Vetëvendosje shprehu publikisht përkrahje para disa ditëve. Në këtë bllok ndodhet partia e së majtës ekstreme, La France Insoumise (Franca e Papërkulur), themeluesi i së cilës, Jean-Luc Melenchon, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kishte dalë kundër mëvetësisë së vendit tonë, duke thënë madje se Kosova nuk ekzistonte dhe duke e kundërshtuar bombardimin e Jugosllavisë nga NATO-ja.
Të dielën u mbajt rundi i dytë i zgjedhjeve parlamentare në Francë. Blloku majtisti, Fronti i Ri Popullor, i përkrahur publikisht nga Lëvizja Vetëvendosje më 28 qershor, siguroi më së shumti ulëse, 182. Aleanca e qendrës e presidentit Emmanuel Macron doli e dyta, me 168 ulëse, ndërsa blloku i së djathtës ekstreme i treti me 143 deputetë, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cituara nga gazeta “Le Monde”.
Në bllokun fitues bën pjesë edhe partia e së majtës ekstreme, La France Insoumise (Franca e Papërkulur), themeluesi i së cilës, Jean-Luc Melenchon, më 20 shkurt të vitit 2018, pak ditë pas 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kishte dalë me një artikull të gjatë në uebfaqen e tij zyrtare kundër pavarësisë së vendit tonë, madje edhe kundër bombardimit të Jugosllavisë nga NATO-ja e kundër përkrahjes së ShBA-së për Kosovën. Sipas tij, pavarësimi i Kosovës “e ka rëndësinë e vet në destabilizimin e rendit ndërkombëtar, nga i cili pasojat ne po i vuajmë sot”.
Kështu nis shkrimi i Melenchon-it, tashmë pjesë e bllokut fitues: “17 shkurti (i vitit 2018) ishte 10-vjetori i shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Dhjetë vjet më vonë, një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar nuk e njeh këtë shpallje të pavarësisë. Kjo vlen për 80 shtete, për shembull Kina, Rusia, Brazili, India, Spanja ose Greqia. Por edhe në Bashkimin Evropian. Dua të kthehem të kjo ngjarje, sepse ajo e ka rëndësinë e saj në destabilizimin e rendit ndërkombëtar, nga i cili pasojat ne po i vuajmë sot.”
Ai më pas del kundër ndërhyrjes së NATO-s përmes bombardimeve, duke i akuzuar Shtetet e Bashkuara se ishin paraqitur si “mbrojtëse të pakicave dhe të së mirës për ta justifikuar ndërhyrjen e tyre ushtarake, siç do të bënin më vonë në rastin e Irakut”. “Dhe siç bëjnë kudo. Siç bëjnë për ta marrë kontrollin e një zone”.
“Këtu ishte çështja e zhdukjes së ndikimit politik të Serbisë nga harta. Natyrisht, ishte në thelb propagandë lufte. Për t’u bindur, vetëm shikojini pasojat e bombardimeve të tyre. Sipas organizatës humanitare, “Human Rights Watch”, ato çuan te vdekja e 528 civilëve, dy të tretat e të cilëve ishin refugjatë kosovarë, që duhej të mbroheshin nga ndërhyrja amerikane”– shkruante Melenchon-i më 2018.
Francezi shkon edhe më larg, duke i akuzuar pjesëtarët e UÇK-së për trafikim organesh nga të burgosurit.
“Trafikimi i organeve të marra nga të burgosurit nga heronjtë që e çliruan Kosovën ka kaluar pa u vënë re, vendosja e një baze gjigante të ShBA-së në shtetin derivat nuk është komentuar. Përgjegjësia e mafive shqiptare të mbrojtura nga qeveria në këtë trafikim dhe e disa të tjerëve nuk është për diskutim” – shkruante ai para gjashtë vjetëve.
Melenchon-i më pas vajton kundër shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, duke e përmendur miratimin e Rezolutës 1244 nga Këshilli i Sigurimit, sipas së cilës nuk parashihej mëvetësimi i vendit tonë, pretendon ai.
“Prania ushtarake e NATO-s ishte konceptuar brenda kornizës së një statusi të pashembullt të protektoratit të përkohshëm ndërkombëtar. Pavarësia e Kosovës nuk ishte parashikuar. Ajo nuk mund të pranohej, sidomos nga Rusia, aleatja historike e së cilës në Ballkan është Serbia. Blla-blla-blla” – shkruante politikani francez.
Ai madje kishte dalë edhe kundër Planit të Ahtisarit, duke thënë se rezultatet e bisedimeve paraprake ishin të papranueshme për Serbinëdhe se ky plan në të vërtetë propozonte pavarësi për Kosovën.
“OKB-ja nuk mund ta shpallë pavarësinë e një shteti që vjen vetëm nga dy akte: një deklaratë dhe njohja nga komuniteti ndërkombëtar” – shkruante tashmë anëtari i bllokut fitues të zgjedhjeve në Francë.
Në shkrim, ai i akuzon Shtetet e Bashkuara se, me njohjen e Pavarësisë së Kosovës, e kishin shkelur fjalën, pasi e kishin votuar Rezolutën 1244, e cila, sipas tij, e njeh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën.
“Natyrisht, sovraniteti i Kosovës në thelb është imagjinar. 19 vjet pas viti 1999, trupat e NATO-s janë ende masivisht të pranishme në Kosovë, e cila varet tërësisht nga kjo prani për ekzistencën e saj. Enklava, e privuar nga të gjitha burimet, vazhdon që të zhytet në varfëri: shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve arrin në 60 për qind. Kosova nuk ekziston. Kjo enklavë është e paqeverisshme dhe e paqëndrueshme” – shkruante ashpër kundër vendit tonë themeluesi i partisë së të majtës ekstreme.
Sipas tij, “precedenti i Kosovës i ka dhënë një goditje parimit të paprekshmërisë së kufijve në Evropë, shtyllë e stabilitetit gjeopolitik në kontinentin tonë”.
Më tej, francezi e justifikon edhe krahasimin që ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ia bënte vendit tonë me aneksimin e Krimesë së Ukrainës. “Edhe nëse, ndryshe nga amerikanët dhe aleatët e tyre, rusët nuk kanë bombarduar askënd në Krime” – shkruante Melenchon-i më 2018.
Në fund, majtisti ekstrem i akuzon Shtetet e Bashkuara për destabilizim të rendit ndërkombëtar dhe zotohej se në të ardhmen, Franca do të kontribuonte në shfaqjen e një rendi të ri botëror “që duhet të krijohet urgjentisht që të mund të ruhet paqja”.
Nuk dihet nëse Lëvizja Vetëvendosje është e vetëdijshme për qëndrimet e këtij politikani rreth pavarësisë së Kosovës, por kjo parti më 28 qershor doli “në mbështetje të Frontit [të Ri Popullor] kundër të djathtës ekstreme në Francë”.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! si subjekt socialdemokrat dhe si pjesë e familjes socialdemokrate evropiane (PES-it, Aleancës Progresive, Internacionales Socialiste) shpreh shqetësimin e saj mbi gjasat e fitores së një qeverie të udhëhequr nga e djathta ekstreme në Francë. Kjo do të rrezikonte jo vetëm rizotimin e Bashkimit Evropian për angazhim drejt zgjerimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor, por do të përhapte edhe më tej narrativat destruktive dhe dezinformatat e ekstremit të djathtë për Kosovën, në veçanti të ushqyer nga boshti Moskë-Beograd” – thuhet në shkrimin e partisë në pushtet.
Më tej, VV-ja shprehte shpresë se blloku majtistë të triumfonte në zgjedhjet e Francës – dhe ashtu ndodhi.
“Në këto rrethana mbesim me shpresë që bashkimi i subjekteve të majta nën emrin ‘’Nouveau Front Populaire’’ do të triumfojë dhe do ta parandalojë fitoren dhe ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme, gjë që do të ishte fatale për shoqërinë dhe vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesës jo vetëm në Francë, por kudo nëpër kontinentin e Evropës” – thuhet në deklaratën e VV-së së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
VV-ja para disa ditëve vlerësoi se “është e nevojshme dhe e domosdoshme bashkimi i të majtës socialdemokrate si e vetmja mundësi për të ruajtur vlerat që janë ndërtuar me mund dhe sakrificë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore”.
Dëshira e Vetëvendosjes u plotësua. Blloku majtist, bashkë me kundërshtarin e pavarësisë sonë, doli i pari në zgjedhje. Mbetet të shihet se si do të rrjedhin bisedimet për formimin e Qeverisë së re në Francë dhe çfarë roli do të marrë partia majstiste e Melenchon-it.