VV-ja kërkon që Bordi i Telekomit më së largu të hënën të njoftojë për shkëputje të kontratës me “Z-Mobile”

26 korrik 2019 | 14:34

Edhe katër ditë kanë mbetur nga kalimi i afatit për mosvazhdimin e kontratës mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile, pra 30 korrik 2019.

Lidhur me këtë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Liburn Aliu, ka thënë se tanimë është e qartë se kemi të bëjmë me një kontratë ku “Z-Mobile”, e ka të hapur derën të marrë sa të dojë nga Telekomi i Kosovës, ta shesë me çfarëdo çmimi që dëshiron dhe të japë 27% të atyre të hyrave, pa e pasur fare në konsideratë që kostoja e atyre shërbimeve mund të jetë shumë më e lartë.

Sipas tij, kjo kontratë nuk duhet të vazhdohet me asnjë kusht, por menjëherë duhet të fillojnë procedurat për kthimin e fondeve të plaçkitura përmes saj.

“Deri të hënën, bordi i Telekomit të Kosovës duhet të marrë vendim për mosvazhdimin e kontratës, të njoftojë Z-mobile për këtë vendim si dhe të informojë opinionin për këtë vendim”, u shpreh Aliu, duke shtuar se
Vala është dëmtuar së fundmi edhe moralisht me performancën e dobët që i kanë shkaktuar mbingarkesat abusivë të “Z-Mobile”.

Drejtuesi i Komitetit për Komunikime Elektronike, Fatban Bunjaku, ka thënë se “kontrata e Telekomit me Z-Mobile, është më e pashembullta që e ka njohur sektori i komunikimeve elektronike në botë. Sipas tij, kjo kontratë e ka dëmtuar Valën dhe e ka çrregulluar të gjithë tregun e Telefonisë mobile në vend.

Sipas tij, nga raporti i paraqitur prej profesionistëve të Telekomit në Komisionin Hetimor Parlamentar, dëmi i drejtpërdrejtë që Z-Mobile i ka shkaktuar Telekomit llogaritet- 107 milionë euro humbje reale të deklaruara për Telekomin, ndërkohë që Z-Mobile ka pasur rreth 73 milionë euro të hyra bruto. Mbi 140 milionë euro llogariten të hyrat e munguara për Telekomin, si pasojë e kësaj kontrate. Humbjet financiare disa milionëshe për shkak të thirrjeve të humbura dhe largimit të konsumatorëve si pasojë e mbingarkesës së shkaktuar nga shërbimet pa limit të” Z-Mobile”. Numrat e “Z-Mobile”, janë evidentuar në krye të vjedhjes në ridrejtim të trafikut hyrës ndërkombëtar, që nga publiku njihet si: Afera “SIM-to-SIM”, u shpreh ai.

Sipas tij, vetë rendi publik rrezikohet të lëkundet nga kapja kriminale e sektorit të komunikimeve elektronike. “Siguria shtetërore, policia, ushtria, AKI, shëndetësia, emergjencat civile, zjarrfikësit, agjensitë dhe grupet e agjensive për reagim në situata emergjente, e shumë instanca me rëndësi jetike, prej financave tek sistemi arsimor mbështeten në punën e Telekomit të Kosovës”, shpjegoi Drejtuesi i Komitetit Bunjaku.
Sipas tij, bordi dhe menaxhmenti i Telekomit të Kosovës nuk guxojnë të veprojnë në kundërshtim për interesin e ndërmarrjes që drejtojnë, me interesin publik dhe me në kundërshtim me sigurinë shtetërore. Kushdo që vepron në kundërshtim me sa më sipër, jo shumë vonë do të gjendet përgjegjës nga sistemi i drejtësisë. “Bordi i Telekomit, më së largu të hënën të njoftojë se kjo kontratë më nuk vazhdon”.

 

/Epoka e Re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim…