VV me video propagandistike: Me Qeverinë Kurti, Kosova po njihet për të mirë në botë
Lëvizja Vetëvendosje, e kryeministrit Albin Kurti, ka publikuar një video ku thur lavde për qeverisjen e tyre.
Në një video që fillon me një valëvitje disa sekondëshe të flamurit të Republikës së Kosovës, thuhet se tashmë s’ka nevojë për angazhim të kompanive të lobimit, meqë imazhi i Qeverisë po rregullohet me punë dhe përmbajtje.
VV thotë se imazhin e përmirëson qeverisja e mirë dhe zhvillimore e jo marketingu i shtrenjtë me para të taksapaguesve.
Sipas VV-së, më shumë se pesë organizata botërore përmes raporteve të tyre tregojnë për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Kosovë.
“Këtë e tregojnë edhe vizitat e shumta jashtë vendit që kemi bërë me ftesë, por edhe vizitat e liderëve të shteteve mike që pas shumë viteve e vizituan Kosovën.
Me punë të ndershme dhe serioze, me qeverisje zhvillimore e progresiste, përmes sportistëve dhe artistëve, por edhe profesionistëve që kemi deleguar nëpër qendra të botës, Kosova po njihet për të mirë në botë”, thotë VV.