
“VV nuk i ka numrat, Kurti po kërkon të blejë deputetë” – Opsionet për formimin e Qeverisë së re
Ish-kryenegociatori i dialogut dhe ish-diplomati, Avni Arifi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë. Sipas tij, nëse do t’i kishte 61 vota, qeveria e re tashmë do të ishte formuar.
Në një prononcim për Gazeta Blic, Arifi akuzon VV-në se po përpiqet të blejë deputetë për të siguruar shumicën e nevojshme parlamentare.
“Vetëvendosje nuk i ka numrat, është një matematikë e thjeshtë. Me minoritetet joserbe ka 58 vota, por i duhen 61. Po t’i kishte, vonesat në numërimin e votave do të përfundonin brenda ditës dhe tashmë do të kishim institucione të reja,” tha Arifi.
Ai shton se ekzistojnë zëra që përmendin emra deputetësh që mund të blihen, por e konsideron të vështirë të besohet se dikush do të pranojë të kalojë në anën e VV-së.
Arifi gjithashtu thekson se Kurti ka shuar çdo mundësi bashkëpunimi me partitë opozitare dhe se, nëse nuk arrin të formojë qeverinë, ky proces do t’i takojë opozitës, nëse ata pajtohen mes vete.
“Partitë opozitare kanë numrat për të formuar qeverinë, por mbetet të shihet nëse do të arrijnë një marrëveshje mes liderëve të tyre,” thekson ai, duke paralajmëruar se mosformimi i shpejtë i qeverisë do të ketë pasoja të rënda për vendin.
Duke folur për procedurat ligjore, Arifi shpjegon se pas certifikimit të rezultateve, kryetari i Kuvendit i takon VV-së, ndërsa Kurti ka 15 ditë kohë për të formuar qeverinë. Nëse dështon, partia e dytë më e madhe ka 10 ditë për të marrë mandatin. Në rast se as ajo nuk arrin, vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.