
VV-PDK, opsioni më i mirë sepse pozita dhe opozita s’i kanë numrat
Shkruan: Astrit Gashi
Pas certifikimit të zgjedhjeve në prill, Kosova do të hyjë në fazën vendimtare të krijimit të qeverisë së re. Lëvizja Vetëvendosje (VV), si partia më e madhe, do të ketë përgjegjësinë kryesore për formimin e ekzekutivit, por numrat në Kuvend tregojnë se rruga drejt një shumice të qëndrueshme nuk është e lehtë. Albin Kurti nuk do të lëshojë kryeministrin me asnjë çmim, por ky është realiteti ynë politik.
VV ka 48 deputetë. Minoritetet jo-serbe kanë 10 deputetë, të cilët tradicionalisht mbështesin qeverinë. Nenad Rashiq, një përfaqësues i moderuar serb, mund t’i bashkohet shumicës, duke e çuar numrin në 59 deputetë. Megjithatë, për të formuar qeverinë duhen 61 vota, që do të thotë se VV duhet të gjejë të paktën dy deputetë të tjerë për të siguruar shumicën. Mundësia që Nisma me tre deputetët e saj të kalojë te VV nuk duket në horizont, me arsyen që lideri i tyre mund të jetë “qortuar” nga partneri i tij i koalicionit.
Nga ana tjetër, opozita e përbërë nga PDK (24 deputetë), LDK (20 deputetë), AAK-NISMA (8 deputetë) dhe minoritetet jo-serbe (10 deputetë) formalisht i ka 62 vota, por ky nuk është një koalicion funksional. Deputetë si Emilia Rexhepi dhe Elbert Krasniqi nuk do ta mbështesnin, duke e bërë këtë shumicë joreale. Pra, pavarësisht numrave në letër, opozita nuk mund ta formojë qeverinë. Edhe në teori nuk do të mund të marrin mandatarin, sepse nuk do kenë 61 mandate për të dëshmuar se mund të qeverisin.
Duke qenë se një qeveri vetëm me minoritetet do të ishte e brishtë dhe e pasigurt, VV ka dy opsione reale për një shumicë të qëndrueshme: një koalicion me PDK, që do të siguronte 72 deputetë dhe një qeveri të fortë, ose një koalicion me LDK, që do të kishte 68 deputetë dhe do të ishte më i pranueshëm ndërkombëtarisht.
Në këtë situatë, partitë politike duhet të gjejnë zgjidhje, sepse zgjedhjet e reja nuk janë opsion. Një palë zgjedhje të reja nuk do të sillnin ndryshim të madh në strukturën aktuale politike, përkundrazi, do ta thellonin edhe më shumë krizën institucionale dhe do ta shtonin pasigurinë. Për më tepër, me përbërjen e tanishme, ky do të jetë parlamenti më i dobët në historinë e shtetit të Kosovës.
Duke analizuar situatën, një qeveri VV-PDK duket si opsioni më stabil, sepse siguron një shumicë të gjerë dhe shmang brishtësinë e një qeverie me vetëm 61-62 vota. Megjithatë, vendimi do të varet nga negociatat politike dhe vullneti i liderëve për të kapërcyer ndarjet e së kaluarës në emër të stabilitetit dhe qeverisjes efektive të Kosovës, të cilat do të jenë të vështira!