VV thotë se po qeverisin ndershëm, pa krim e korrupsion
Lëvizja Vetëvendosje thotë se me qeverisjen e tyre është dëshmuar se Republika e Kosovës mund të qeveriset ndershëm, pa krim e korrupsion dhe mund të punojë për shtresat që kanë nevojë më së shumti.
Përmes një shkrimi në Facebook, partia në pushtet thekson se këto vite të suksesshme nuk ishin të lehta.
Megjithatë, ata thonë se “javëve, muajve e viteve në vijim na presin punë edhe më të mëdha si organizatë në mënyrë që sukseset të shumëfishohen”.
Në fundjavën që lamë pas, u mbajt mbledhja e rregullt me qendrat e LVV-së.
Në këtë mbledhje i pranishëm ishte edhe Kryetari i Lëvizjes, kryeministri, Albin Kurti.
Mbledhja filloi me diskutimin mbi situatën politike në vend për të vazhduar me punën nëpër qendrat tona në dritën e zgjedhjeve të rregullta që do të mbahen me 9 shkurt të vitit 2025.
Në pjesën hyrëse Kryeministri Kurti ngriti një mori çështjesh organizative, të cilat kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e punëve në dy nivelet organizative, në Pika dhe Qendra të partisë.
“Qendrat tona do të kenë edhe angazhim të shtuar edhe përfshirje më të madhe të anëtarësisë me synim forcimin e organizatës.
Tek situata politike, Kryeministri Kurti foli rreth aktualitetit politik në vendin tonë, por edhe për punët e shumta që janë kryer.
Lëvizja që është duke qeverisur me vendin ka dëshmuar se Republika e Kosovës mund të qeveriset ndershëm, pa krim e korrupsion dhe mund të punojë për shtresat që kanë nevojë më së shumti. Këto vite të suksesshme nuk ishin të lehta, andaj javëve, muajve e viteve në vijim na presin punë edhe më të mëdha si organizatë në mënyrë që sukseset të shumëfishohen”, theksohet në njoftim.