25 vjetori i PDK-së, Haliti: Partia e vuan më shumë se kurrë mungesën e liderëve, Hashimit dhe Kadriut
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, në 25 vjetorin e partisë, ka kujtuar sekuencat e 25 viteve më partisë, kur së bashku me shumë veprimtarë, bartës të luftës çlirimtare, themeluan subjektin politik, që më vonë e quajtën Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se gjatë qeverisjes me Hashim Thaçin bënë shumë punë për të mirën e qytetarëve.
Haliti ka thënë sot më shumë se kurrë e vuan mungesën e liderëve, Hashimit dhe Kadriut, “të cilët besoj se së bashku me Jakupin e Rexhën do të triumfojnë, pasi që lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë dhe e pastër.”
Postimi i tij i plotë:
Dy fjalë në 25-të vjetorin e PDK-së
Me fanatizëm i mbaj në mendje sekuencat e 25 viteve më parë, kur së bashku me shumë veprimtarë, bartës të luftës çlirimtare, themeluam subjektin politik, që më vonë do ta emërtonim Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Ishin ditët e para që qytetarët pas shumë vuajtjesh po e shijonin lirinë, si dhe po i thurnin ëndrrat për një të ardhme më të mirë.
Së bashku me ëndrrat e tyre, që më vonë i bëmë realitet, u rrit dhe u fuqizua PDK-ja.
PDK-ja me kalimin e viteve u bë pjesë e pandarë e historisë së Kosovës. E sukseseve të jashtëzakonshme.
Përgjatë qeverisjes së PDK-së, në krye me mikun tim, Hashim Thaçi, bëmë shumë punë për të mirën e qytetarëve. Mbi të gjitha, së bashku me miqtë ndërkombëtarë formuam shtetin e Kosovës, si dhe forcuam subjektivitetin e tij ndërkombëtar, ndërtuam rrugë e autostrada moderne, kopshte fëmijësh e shkolla, rritëm pagat dhe pensionet për të gjitha kategoritë sociale, shtuam përkujdesjen ndaj familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, si dhe morëm një mori vendimesh të rëndësishme për zhvillimin e vendit dhe perspektivën e qytetarëve tanë.
Ndërkohë, PDK-ja u godit. Dhe sot më shumë se kurrë e vuan mungesën e liderëve, Hashimit dhe Kadriut, të cilët besoj se së bashku me Jakupin e Rexhën do të triumfojnë, pasi që lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë dhe e pastër.
Megjithatë, ky përvjetor PDK-në e gjenë në opozitë, por të përgatitur që të rikthehet fuqishëm për ta udhëhequr Kosovën me kryeministër Bedri Hamza, një njeri i urtë, i mençur, profesional, i pakorruptuar dhe i dëshmuar në të kaluarën.
Prandaj, të dashur qytetarë, aktivistë të PDK-së, lë të jetë ky përvjetor si pikënisje drejt rrugëtimit të fitores së madhe të 9 shkurtit të vitit 2025.
Gëzuar🥂