Wagneri pezullon rekrutimin e mercenarëve
Grupi famëkeq rus i mercenarëve Wagner, që kreu rebelimin më 23-24 qershor, ka ndaluar të gjithë procesin e rekrutimit.
Ky grup njoftoi përmes kanalit në Telegram se “përkohësisht nuk po marrim pjesë në operacionin e posaçëm ushtarak dhe po zhvendosemi në Bjellorusi”.
Wagneri përdori shprehjen që Rusia përdor për t’iu referuar pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Grupi Wagner kreu një rebelim të shkurtër dhe mercenarët u nisën drejt Moskës. Por, më pas, lideri autoritar bjellorus Alyaksandr Lukashenka, ndërmjetësoi një marrëveshje dhe rebelimi u ndërpre.
Sipas kësaj marrëveshjeje, shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, u lejua të shkonte në Bjellorusi.
Luftëtarëve të Wagnerit u është dhënë mundësia të zgjedhin nëse duan ta ndjekin Prigozhinin apo të integrohen në ushtrinë e rregullt ruse.
Prigozhini nuk është parë në publik që nga përfundimi i rebelimit. /REL/