Walker: Do të doja të dielen të marshoja me ju në Prishtinë, kriminelët e luftës janë në Serbi
Ishte tejet i gëzuar të kuptonte se “Marshi për Drejtësi” si solidarizim me ish-Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka marrë mbështetje edhe nga spektri i gjerë politik vendor.
Ish-Shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, u shpreh i lumtur të kuptojë se edhe Lëvizja Vetëvendosje e mbështeti këtë marsh. Madje, ai thotë se do të donte të ishte pjesëmarrës edhe vet në marshin e së dieles.
“Mendoj se kjo është shumë mirë, shumë pozitive. Për këtë marshim do të doja edhe unë të isha atje të marrë pjesë. Shpresoj që e mbarë Kosova, të gjithë njerëzit pavarësisht se cilën parti politike mbështesin, të marshojnë ndaj kësaj padrejtësie që po ndodh në Hagë ndaj Thaçit, Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e të tjerëve”, thotë William Walker në një përgjigje për Insajderin.
“Kjo është shumë lajm i mirë. Më vjen mirë që më treguat. Do të doja që jo vetëm Vetëvendosja, por të gjithë, sikur në Izrael siç dolën, dhjetëra ose qindra mijëra, dhe të thonë: ‘Kjo nuk është ajo çfarë do të duhej të ndodhte, kjo është padrejtësi’. Do të doja të isha aty të marrë pjesë në këtë ngjarje”, na tha ai.
Pyetur se a ka ndonjë mesazh për njerëzit të cilët do të marrin pjesë në marshin e së dieles në mbështetje të ish-Krerëve të UÇK-së, Walker shprehet se duhet të artikulojnë padrejtësinë ndaj ish-liderëve dhe të ngrenë zërin.
“Do t’ju thoja se kjo çfarë po ndodh në Hagë është tejet e padrejtë duke provuar të përcaktohet se kush është kriminel lufte, ndërsa për aq sa unë jam në dijeni kriminelet e luftës janë në anën tjetër (në Serbi)”, thotë ai.
Por, pyetur se a mendon se vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të duhet të merrte pjesë në këtë marsh, Walker shprehet se e kupton në çfarë pozite gjendet ai.
“Kjo është pyetje e mirë. Ndryshe është për njerëzit, por ndryshe për kreun e qeverisë. Por në të njëjtën kohë është vështirë për mua të përgjigjem. Shoh arsye që ai të merr pjesë, por shoh edhe arsyer se pse nuk do të merrte pjesë”, tha Walker.