Walker: Koha që Kosovën ta drejtojë gjenerata e re
Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, diplomati amerikan William Walker, ka theksuar se rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Kosovë, kanë pasur epilog të papritur, por të parashikuar të mbretërimit nëntëmbëdhjetëvjeçar të udhëheqjes politike që erdhi në pushtet pas luftës për pavarësinë, e që janë ata që pretendojnë se janë heronj ushtarakë.
Në një intervistë për “Telegraf”-in diplomati amerikan, William Walker, tha se ka ardhur koha që Kosovën ta drejtojë një gjeneratë të re e liderëve politikë, duke i lënë mënjanë ata që kanë kontrolluar sistemin politik për kaq kohë.
Duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, Walker deklaroi se Albin Kurti dhe të tjerët në Lëvizjen Vetëvendosje, kanë mendime të forta, të menduara dhe të artikuluara mirë. Prandaj, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, tani do të ketë mundësinë ta tregojë veten para botës, duke demonstruar se nuk është një koleksion i drejtuesve të rinj kryelartë, e as ekstremistë, por përkundrazi një brez i ri me ide të reja.