Walker: S’kam ndonjë raport me Osmanin, në një takim u largua pas 2-3 minutash
Disa herë është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, por ish-shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE-së në Kosovë gjatë luftës, William Walker tha se nuk ka ndonjë raport me të.
Walker foli në emisionin “ZEN me Artan Behramin” në T7 për takimet me Osmanin. Në njërin prej tyre, pasi ajo ishte bërë presidente, diplomati amerikan tha se ajo ishte larguar pas “dy ose tre minutash”.
“Nuk do të thosha se kemi saktësisht një raport. E takova gjashtë muaj para se të bëhej kandidate, kur edhe u zgjodh bindshëm. E kam takuar kur ajo ishte shkëputur disi nga LDK-ja dhe kemi pasur një takim të mirë. Ajo kishte një anglishte perfekte. Ajo më tregoi se pse ishte larguar nga Isa Mustafa dhe nga pjesa tjetër e LDK-së. Dhe kjo ishte hera e parë që e takova. Kur ishte kandidate në zgjedhje, unë thashë gjëra shumë pozitive për një grua që po kandidonte për presidente, për gruan e dytë kandidate, dhe unë gjithmonë them gjëra të mira për gratë e Kosovës”, tha Walker.
“Një javë ose dy para zgjedhjeve, ajo më thirri dhe më befasoi duke më thënë se ishte një artikull në gazetat këtu ku thuhej se nëse ajo do të bëhej presidente, do të anulonte një kontratë që unë e kisha me Ministrinë e Jashtme për të ndihmuar këtë ministri në zhvillimin e diplomatëve. Kështu që ajo më thirri për të më thënë se kjo nuk ishte e vërtetë. Unë i thashë se jam mbështetës për kandidaturën tënde, shpresoj të fitosh, i urova fat të mbarë dhe më tha se do të mbetej në kontakt me mua. Një gjë tjetër që e dija ishte se ajo u bë presidente dhe nuk isha dëgjuar më me të”, shtoi Walker.
Takimi i vitit të kaluar, ai tha se ishte “i vetmi kontakt” me Osmanin pasi ajo u bë presidente.
“E takova vitin e kaluar, për herë të parë që kur ishte bërë presidente. Isha këtu me tashmë të fejuarën time, Dejzin, Dejzin e tretë në jetën time dhe kishim caktuar një takim me të dhe ta shihnim edhe presidencën. Fatkeqësisht, pas dy ose tre minutash asaj i thanë se kishte një takim ose i duhej të udhëtojë diku. Kështu që e pashë atë vetëm për disa minuta dhe ky ishte i vetmi kontakt që kam pasur me të”, tha Walker.
Walker dhe Osmani u takuan të hënën në përvjetorin e 25-të të masakrës së Reçakut. Pas homazheve, presidentja e falënderoi diplomatin amerikan “që u bë zëri i të gjitha viktimave në një kohë ku ne fatkeqësisht nuk kishim zë”.