Walker takohet me Kurtin, ndjehet i lumtur dhe krenar për atë që Kosova ka arritur
Në prag të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, kryeministri Albin Kurti, ka pritur në një takim miqësor, ambasadorin William Walker.
Kurti e falënderoi për kontributin e tij të pazëvendësueshëm gjatë kohës së luftës dhe jehonën që i dha masakrës së Reçakut në rrafshin ndërkombëtar, duke përshkruar ndodhinë në Reҫak si masakër dhe krim kundër njerëzimit.
Qeveria ka njoftuar se Kurti e Walker rikujtuan vitet 1998 dhe 1999, kur ambasadori William Walker ishte në Kosovë në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, që kishte për mision të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të respektuar armëpushimin.
Ambasadori Walker tha se ndjehet i lumtur dhe krenar për atë që Kosova ka arritur në një periudhë të shkurtër kohore, duke u bërë një nga shtetet më demokratike në Evropë. Ai tha se sa herë që vjen në Kosovë u gëzohet ndryshimeve që i sheh teksa lëvizë nëpër rrugët e Kosovës.
Bashkë me urimet për jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, kryeministri Kurti ritheksoi mirënjohjen ndaj ambasadorit Walker, për rolin e tij korrekt, konkret dhe aq human të treguar në raport me krimet e luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.