Wall Street në shifra rekord gjatë presidencës së Trump
Amerika e Trump është një vend i ndarë në dy pjesë dhe i polarizuar drejt dy ekstremeve. Është njësoj si një sanduiç i madh: Bregu Lindor dhe Perëndimor, si dy fetat e bukës, janë pjesët më përparimtare të vendit. Përmbajtja e sanduiçit është brendësia e madhe e vendit, e cila mbështet pa hezitim politikat konservatore të Donald Trump. Por, si është Amerika me të vërtetë një vit nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit 2020? Dhe cilat janë perspektivat për tregjet financiare, në këtë kornizë ndarëse dhe të pasigurt?.
Vend i bllokuar
Asnjë analist nuk dëshiron të shprehet hapur pasi variablat janë të shumta. Fotografia aktuale tregon një vend të bllokuar. Ekzekutivi shtyn politikat e tij ndërsa pushteti legjislativ, me Dhomën e udhëheqjes demokratike, bllokon të gjitha vendimet, në pritje të ratifikimeve që nuk mbërrijnë. Aq më tepër tani në këtë moment kritik kur është futur në skenë dhe çështja e impeachment.
Rekordet e Wall Street
Politika ka ngecur por Wall Street vazhdon të shënojë rekorde, i shtyrë nga tremujorët, nga papunësia në nivelet minimale për 50 vjet, dhe nga pritjet për paqe me Kinën. Në dy javët e fundit të tre indekset kanë prekur majat disa herë. Të Premten e kaluar me një “triplet”, një rekord i shënuar në të njëjtën ditë nga të tre indekset.
Tre vite rritje për indekset
Presidenca e Trump ka qenë pozitive për bursat e deritanishme. Në tre vjet, nga 8 nëntori 2016 deri më 8 nëntor 2019, indeksi S&P 500 fitoi 44.29%. Dow Jones u rrit 50.72%. Indeksi Nasdaq fluturoi me 62.9%. Motorri që shtyu rritjen ishte mbi të gjitha ulja e taksave të korporatave të Trump nga 35% në 21%, e cila filloi në Janar 2018 por që tani, nga të dhënat më të fundit ekonomike, duket se ka humbur efektin lëvizës.
Mbrojtja e Trump
Trump shfaqet gjithnjë e më i përqendruar në një mbrojtje të zemëruar kundër akuzave të demokratëve. Përkrahësit e tij në tubimet elektorale përreth Amerikës, veç kapeleve të tyre të kuqe me logon: Make America Great Again, kanë shtuar dhe bluzat me mbishkrimin “Lexoni transkriptin”. Duke iu referuar kështu telefonatës me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që është në qendër të hetimit të impeachment. Akuzat e demokratëve janë bërë flamuri i mbështetësve të Trump, të cilët së bashku me drejtuesin e tyre besojnë se janë viktima të një inskenimi gjigant, ose ndryshe të një “gjuetie shtrigash”, të cilën ai e përmend gjithmonë në tubime.
Frenimi në vitin e zgjedhjeve
Zakonisht ekonomia amerikane ngadalësohet gjatë vitit zgjedhor. Për shkak se administrata ndalet, tregjet presin të kuptojnë se çfarë do të ndodhë dhe kompanitë shtyjnë zgjedhjet e tyre të investimeve. Në pesë zgjedhjet amerikane, nga viti 2000 deri në 2016, indeksi S&P 500 ndoqi një linjë që pasqyron më së miri këtë prirje, në dy raste madje arriti të kishte shenjën minus.
Perspektivat për vitin 2020
Deri në vitin 2020, pritet një ngadalësim më i theksuar në ekonominë amerikane, për shkak të luftës së pasigurt tregtare dhe ndërprerjes midis pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Trump tashmë ka thënë se nuk do të ketë një marrëveshje të përgjithshme me Kinën, çështja e ribalancimit midis dy fuqive mbetet një nga pikat e programit të tij politik për zgjedhjet e 2020 dhe për katër vitet e ardhshme nëse ai ia del mbanë të fitojë një mandat të dytë.
Ulja e taksave për klasën e mesme
Wall Street mund të ndihmohej në vitin e zgjedhjeve nga «Faza e parë» e marrëveshjes me Kinën që do të nënshkruhet në javët e ardhshme me një probabilitet të madh, si dhe nga një ulje e re e taksave, këtë herë për të ardhurat e klasave të mesme, të cilat administrata po studion dhe që Trump planifikon të nisë në fillim të vitit për të shtyrë më tej garën e tij drejt Shtëpisë së Bardhë. (Ilsole24ore)./scantv