Waltz: Nevojitet një udhëheqës ukrainas që dëshiron paqe

03 mars 2025 | 08:16

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Mike Waltz, tha se Shtetet e Bashkuara synojnë të arrijnë një paqe të përhershme mes Moskës dhe Kievit, që përfshin shkëmbim territoresh, në këmbim të garancive të sigurisë, të drejtuara nga Evropa.

Ai shtoi se për këtë nevojitet një udhëheqës ukrainas që është i gatshëm për të arritur një paqe të qëndrueshme me Rusinë, por nuk është e qartë nëse Zelenksy është i përgatitur për një gjë të tillë.

I pyetur nëse Trump dëshiron dorëheqjen e Zelensky, Waltz tha për programin “State of the Union” të rrjetit CNN se “Ne kemi nevojë për një udhëheqës që mund të merret vesh me ne, mundësisht me Rusisë dhe t’i japë fund luftës”.

“Nëse bëhet e qartë se motivet personale ose politike të Presidentit Zelensky bien ndesh me dhënien fund të luftës në vendin e tij, atëherë mendoj se kemi përpara një problem real”, tha Waltz.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, sugjeroi gjithashtu se Ukrainës mund t’i duhet një udhëheqës tjetër nëse Presidenti Zelensky nuk pajtohet me kërkesat e Shteteve të Bashkuara.

“Diçka duhet të ndryshojë. Ose ai duhet të vijë në vete dhe të kthehet në tryezë me mirënjohjeje, ose dikush tjetër duhet të udhëheqë vendin për ta bërë këtë”, tha Johnson për programin “Meet the Press” të rrjetit televiziv NBC.

Takimi i së premtes në Zyrën Ovale shfaqi publikisht tensionet mes Zelensky dhe Trump.

Si rrjedhojë, një marrëveshje mes dy vendeve për të shfrytëzuar së bashku mineralet e rralla të nëntokës ukrainase, nuk u firmos.

“Nuk ishte e qartë për ne që Presidenti Zelensky ishte gati për të negociuar dhe në mirëbesim për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha Waltz.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dita Botërore e Kafshëve të Egra është sot, më 3…