Walz dhe Vance bien dakord të debatojnë më 1 tetor
Guvernatori i Minesotës, demokrati Tim Walz dhe Senatori i Ohajos, republikani JD Vance, kanë rënë dakord të zhvillojnë një debat më 1 tetor, përballja e parë mes kandidatëve për postin e nënpresidentit ndërsa disa shtete përgatiten për votimet e hershme në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.
Televizioni ‘CBS News’ shkroi në rrjetin X të mërkurën se kishte ftuar kandidatët Vance dhe Waltz për të zhvilluar një debat në qytetin e Nju Jorkut, duke ofruar katër data të mundshme, 17 shatorin, 24 shtatorin, 1 tetorin dhe 8 tetorin.
Demokrati Walz e ndau mesazhin nga llogaria e tij e fushatës për postin e nënpresidentit duke shkruar, “Shihemi më 1 tetor, JD”. Fushata e dyshes demokrate, Harris-Waltz, komentoi me një mesazh duke u shprehur se Walz “mezi pret të debatojë me JD Vance – nëse ai merr pjesë”.
Kandidati republikan për postin e nënpresidentit, JD Vance, shkroi në rrjetin X se do ta pranojë ftesën për debatin e 1 tetorit, ndërsa e sfidoi kundërshtarin Walz për të debatuar më 18 shtator.
Ka patur pikëpyetje nëse kandidatët Walz dhe Vance do të përballeshin në një debat televiziv përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit. Pak javë më parë Presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa demokratët zgjodhën Nënpresidenten Harris për të udhëhequr garën presidenciale.
Kandidati republikan për postin e nënpresidentit, JD Vance ka qenë përgjithësisht i përqendruar tek demokratja Harris, me të cilën do të duhej të debatonte përpara se Presidenti Biden të tërhiqej nga gara. Zoti Vance e ka kritikuar kundërshtarin Walz, duke ngritur pikëpyetje ndaj kohës që demokrati shërbente në Gardën Kombëtare, degë e ushtrisë amerikane. Zoti Trump ka thënë se dëshironte që zoti Vance të debatonte me zotin Walz në televizionin CBS, ndërsa rrjeti kishte diskutuar datat e mundshme për debat.
Debati mes rivalëve për nënpresident pritet të zhvillohet disa javë pas debatit kryesor mes republikanit Trump dhe demokrates Harris, të caktuar me 10 shtator dhe të moderuar nga kanali ‘ABC News’.
Kandidati republikan për president, Donald Trump, ka thënë se ka negociuar disa data të tjera për debate të mundshme në kanale të ndryshme televizive.
Rrjeti ‘Fox News’ ka propozuar gjithashtu një debat mes rivalëve Harris dhe Trump me datën 4 shtator, dhe kanali ‘NBC News’ synon të realizojë një debat më 25 shtator. Gjatë një tubimi në Miçigan, zonja Harris tha se ishte “e lumtur për mundësinë e debatit”./voa