
“Washington Post” dhe “Associated Press”: Kryeministri i Kosovës refuzon sërish dëshminë në Prokurori për një rast korrupsioni
Mediat amerikane si“Associated Press” dhe “Washington Post” kanë raportuar për mosparaqitjen e kryeministrit Albin Kurti në Prokurorinë Speciale për intervistim lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore. Ftesa e parë për intervistim Kurtit i kishte shkuar në dhjetor të vitit 2024.
“Kryeministri i Kosovës refuzon sërish dëshminë në Prokurori për një rast korrupsioni”, është titulli i këtyre dy prestigjiozeve, shkruan Reporteri.net.
Në artikullin e shkruar nga AP, e që është publikuar edhe nga Washington Post, theksohet se si Kurti ka kërkuar që t’i merret dëshmia në zyrën e tij.
“Ai nuk është i akuzuar në këtë rast, por zyrtarë tjerë janë. Pak detaje janë të qasshme për publikun”, thuhet në shkrim.
Aty citohet edhe deklarata e sotme e Kurtit para gazetarëve, ku e cilësoi si politike ftesën e Prokurorisë.
“Është duke e përdorur dhe keqpërdorur lirinë për të luftuar Qeverinë, e jo krimin dhe korrupsionin. Unë kam qenë gjithmonë i gatshëm për të dëshmuar”, citohet deklarata e Kurtit.
Prokuroria Speciale ka lëshuar një reagim pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpërfilli ftesën për intervistim. Në këtë reagim, Prokuroria thotë se do të ndërmarrin hapat tutje sikurse në të gjitha rastet tjera duke respektuar ligjin në fuqi.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
“Nëse insiston për të mos dhënë dëshminë, atëherë Gjykata mund t’i shqiptojë deri në 30 ditë burgim për mosrespektim të urdhërave. Gjoba është çdo herë nga 250 euro sa herë refuzon me iu përgjigj ftesës së Prokurorisë, apo në këtë rast urdhrit të gjykatës”, ka thënë Miftaraj.