“Washington Post” nuk mban anë. Revoltë në redaksi. Akuza ndaj Jeff Bezos
Vendimi i miliarderëve Jeff Bezos, pronar i Washington Post, dhe Patrick Soon-Shiong i Los Angeles Times për të mos mbështetur asnjërin nga dy kandidatët për Shtëpinë e Bardhë, edhe pse ishte bërë tashmë gati, në të dyja rastet, artikulli i redaksive të tyre në mbështetje të Kamala Harris ngjalli polemika dhe protesta nga gazetarët dhe lexuesit.
Pas publikimit të një artikulli të firmosur nga redaktori William Lewis për të dhënë lajmin dhe për të pohuar, se mungesa e mbështetjes nuk cënon vlerat e gazetës, pasi kjo ishte një traditë relativisht e kohëve të fundit (që nga viti 1976 me Jimmy Carterin) dhe është e drejtë që lexuesit të vendosin vetë, gazetarët kanë publikuar një artikull ku sqarojnë se ai që ka “bllokuar” botimin e artikullit, ka qenë pronari i gazetës (dhe Amazon) Jeff Bezos, njeriu i dytë më i pasur në botë, pas Elon Musk.
Opinionisti Robert Kagan dha dorëheqjen: “Kushdo që është pjesë e ekonomisë amerikane sa Jeff Bezos, padyshim që dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me këdo që është në pushtet”. Menjëherë pas njoftimit të Post, Trump priti menaxherët e Blue Origin, kompania hapësinore e Bezos e cila ka një kontratë 3.4 miliardë dollarësh me NASA-n, për të dërguar astronautët në Hënë. Bob Woodward dhe Carl Bernstein, të cilët zbuluan skandalin e Watergate në Post, e quajtën vendimin “befasues dhe zhgënjyes”, veçanërisht aq pranë zgjedhjeve.
Kolumnistët fitues të çmimit Pulitzer kanë shkruar në të njëjtën gazetë se është një gabim i tmerrshëm dhe kanë frikë për objektivitetin e gazetës në të ardhmen. Stephen King e anuloi abonimin e tij (dhe po ashtu edhe lexues të tjerë). Protesta pati edhe në Los Angeles Times: gazetari në krye të bordit të gazetës dha dorëheqjen; por vajza e pronarit, Nika, shkruan në rrjetet sociale se është e drejtë të mos jepet miratimi “për një kandidate që po “mbikëqyr” një luftë kundër fëmijëve” (një referencë e dukshme për Gazën).
Kamala Harris bëri bujë në mitingjet me Beyoncé dhe Michelle Obama, duke folur për të drejtën e abortit, një nga pikat e saj të forta (veçanërisht mes votueseve femra). Beyoncé ftoi amerikanët të votojnë “jo si një personazh i famshëm apo si një politikane, por si një nënë”. Por toni i Harris tregonte pak ankth: “Entuziazmi është i mirë. Por unë dua të flas për punën që duhet të bëjmë.”
Trump, me guxim, i ftoi njerëzit të “ëndrrojnë gjëra të mëdha” në Michigan, ku solli në skenë disa liderë myslimanë. Ai ishte tre orë vonesë për shkak të një interviste me Joe Rogan, mbretin e podkasteve, shumë i pëlqyer nga dëgjuesit e rinj meshkuj, të cilit kandidati për Shtëpinë e Bardhë i tha se “armiku i brendshëm” në Amerikë është më i keq se diktatori koreano-verior Kim Jong- un, se do të zëvendësonte tatimet mbi të ardhurat me detyrimet, se mund të kishte jetë në Mars.
Nesër ai do të jetë në Madison Square Garden, Nju Jork, i rrethuar nga Musk dhe Robert Kennedy. Kishte kohë që donte të mbante një miting atje: është vendi ku Marilyn Monroe këndoi “Happy Birthday Mr. President” për JFK, ku Bill Clinton foli në kongresin e demokratëve të vitit 1992.
The New York Times kujton se në vitin 1939, 20 mijë filonazistë mbajtën një tubim aty. Por Trumpi e di që do jetë qendra e vëmendjes, dhe është pikërisht ajo që dëshiron. / bota.al