Weber: Kurti i imagjinon serbët e Kosovës si qytetarë të pavarur

02 janar 2023 | 08:08

Kanë kaluar dy dekada prejse kur ka përfunduar lufta, por tensioni mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon.

Me ritme të ndryshme, por gjithmonë konstatnt.

Fushbeteja e kryesore e shpërfaqjes së këtyre dallimeve mbetet Veriu i Kosovës.

Në Veri për 20 ditë gjatë muajit dhjetor të vitit 2022 strukturat ilegale serbe vendosën barrikada, duke bllokuar gjithçka atje, edhe pikat kufitare.

Për ekspertin e Ballkanit dhe bashkëpunëtorin e lartë të Këshillit për Politika të Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber, insistimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të pasur një dialog nga poshtë-lartë me serbët e Kosovës pa Serbinë ka dështuar.

Weber në një intervistë për Albanian Post potencon se “Kurti, në mënyrë të parashikueshme u bë viktimë e botëkuptimit të tij dogmatik që i imagjinon serbët e Kosovës si qytetarë të pavarur”.

“Serbët e tillë të Kosovës, pra në veri, megjithatë nuk ekzistojnë dhe nuk do të ekzistojnë derisa të kemi një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që bazohet në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do t’u mundësojë serbëve të Kosovës të bëhen anëtarë të plotë të Kosovës, shtetit dhe shoqërisë, pra qytetarë të lirë”, thotë Weber.

Weber, i doktoruar në Sociologji në Universitetin e Hanoverit, i njeh mjaft mirë zhvillimet në Ballkan.

Profesori gjerman shpjegon se Perëndimi vendosi ta ndihmojë Kosovën të fitojë pavarësinë si e vetmja mundësi realiste për zgjidhjen e konfliktit, por megjithatë këtij shteti të ri nuk ia dha “integritetin e mjaftueshëm”.

“Problemi është se ky hap nuk e zgjidhi konfliktin, mosmarrëveshjen, në tërësi, pasi e la Kosovën pa sovranitet të plotë, integritet territorial dhe të njohur ndërkombëtarisht. Plus, e la Serbinë plotësisht të vetëdijshme se e kishte humbur Kosovën”.

Ndërkaq kur pyetet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shton se “Asociacioni iu dha si një gjest simbolik Beogradit”.

Intervista e plotë me Bodo Weber:

Në Ballkan e kemi një fjali që përsëritet shpesh: Ne prodhojmë histori më shumë se sa mund ta konsumojmë. Pa u kthyer fare në histori, sot është prodhuar një realitet në Veri të Kosovës vështirë i konsumueshëm, madje i pakuptueshëm për këdo që nuk i njeh rrethanat. Kosova është shtet i shpallur dhe i pranuar nga bota demokratike. Derisa provoi ta ushtrojë sovranitetin e saj në një pjesë të territorit, u ballafaqua me refuzimin e serbëve, gjë që pritej, por edhe me njëfarë neutraliteti ambig të ndërkombëtarëve. Bota perëndimore i ndihmojë Kosovës të çlirohet e më pas të bëhet shtet, por tash nuk po i ndihmon ta shtrijë sovranitetin. Si duhet të kuptohet kjo?

Bodo Weber: Perëndimi vendosi ta ndihmojë Kosovën të fitojë pavarësinë si e vetmja mundësi realiste për zgjidhjen e konfliktit, për shkak të politikës së Serbisë të ‘Kosovës së Shenjtë’, këmbëngulja e saj e shtyrë nga nacionalistët që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë pas shpërbërjes së kornizës jugosllave, por pa e pranuar realisht shumicën e popullsisë shqiptare të Kosovës. Problemi është se ky hap nuk e zgjidhi konfliktin, mosmarrëveshjen, në tërësi, pasi e la Kosovën pa sovranitet të plotë, integritet territorial dhe të njohur ndërkombëtarisht.

Plus, ajo e la Serbinë plotësisht të vetëdijshme se e kishte humbur Kosovën, dhe e humbi kryesisht për shkak të politikës së saj, por atje nuk kishte asnjë politikan të guximshëm që ta pranonte publikisht atë realitet dhe ta kthente në politikë zyrtare serbe, derisa Perëndimi nisi dialogun politik të udhëhequr nga BE. Fatkeqësisht, për shkak të mungesës së udhëzimeve strategjike, dialogu për gjysmë dekade është bllokuar, ku pjesa më e madhe e progresit fillestar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka humbur që atëherë.

Kosova, me insistimin ndërkombëtar, është ideuar për nga kushtetuta si një shtet multietnik. Tani, vetëm ndërkombëtarët, po kërkojnë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që është një mekanizëm mono-etnik. A nuk duket absurde kjo kërkesë, kur gjithë investimi në multi-etnicitet mund të përmbyset nga kjo kërkesë e radhës? Si shpjegohet?

Bodo Weber: Kur u nënshkrua Marrëveshja e Prillit në vitin 2013 dhe Beogradi në sfondin e vendosmërisë perëndimore pranoi në thelb Kosovën e pavarur, Asociacioni iu dha si një gjest simbolik Beogradit, si diçka që teorikisht do ta bënte më të lehtë për Beogradin që për tre dekada kishte bindur serbët e Kosovës në veri se ishin pjesë e Serbisë, për t’u thënë atyre se megjithatë do të përfundojnë në Kosovë. Problemi është se BE-ja u shmang përmes dy marrëveshjeve, një në 2013 dhe e dyta në gusht 2015, për të përcaktuar thelbin e Asociacionit. Dhe ndërsa dialogu rrëshqiti në krizë, jo vetëm që çështja e Asociacionit u bllokua, por Asociacioni ishte arsyeja që dialogu ngeci.

Për t’i bërë gjërat edhe më keq,‘një elefant tjetër është në dhomën e ndejës” domethënë mekanizmat mono-etnikë të paraparë në marrëveshje janë në kundërshtim me konventën evropiane për të drejtat e njeriut, pra parimin e mosdiskriminimit.

Do të thotë, jo vetëm që çështja e padefinuar e Asociacionit, kompetencat e tij, duhet të përcaktohen, por në esencë dy marrëveshje do të duhet të rishikohen pjesërisht – nëse jo formalisht, atëherë de facto. E gjithë kjo për mendimin tim mund të bëhet vetëm në kuadër të negociatave për një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që përfshin njohjen formale të Kosovës nga Serbia.

Nuk është sekret që serbët në Veri të Kosovës janë të instrumentalizuar nga Beogradi zyrtar. Ata refuzojnë të bëhen pjesë integrale e Kosovës, derisa Kosova është shtet i pavarur. Ata duan kthim të Serbisë. A është e pamundur të integrosh një grup që refuzon të integrohet, apo thjesht shumica shqiptare në Kosovë nuk po e gjen dot formulën?

Bodo Weber: Serbët në veri të Kosovës jetojnë edhe në Serbi edhe në Kosovë dhe njëherit as në Serbi e as në Kosovë, domethënë jetojnë nën mjegull (tëilight zone). Ata jetojnë në një lloj varësie të privilegjuar si kolonializëm nga Beogradi. Në të njëjtën kohë, ata janë dëmi kryesor kolateral i dialogut politik të dështuar. Problemi nuk është se ka qenë e pamundur integrimi i tyre në shtetin dhe shoqërinë e Kosovës, problemi është se kjo mund të ndodhë vetëm në kuadër të zgjidhjes përfundimtare të kontestit Beograd-Prishtinë.

Si e keni parë qeverinë e Albin Kurtit? Ai dikur thoshte se është e thjesht të integrohen serbët, duhet dialog nga poshtë lartë, pra jo në Bruksel me Vuçiç-in, por në terren me vetë banorët serbë. A ka dështuar Kurti në këtë prognozë të tij?

Bodo Weber: Që nga fillimi i dialogut politik në 2012-13 të gjitha qeveritë e Kosovës e kanë lënë komunikimin me serbët e Kosovës, veçanërisht në veri. Pak a shumë e njëjta gjë me Beogradin dhe Brukselin, që për mua do të thoshte mos i trajtoni ata si qytetarë të barabartë. Pra, fakti që qeveria Kurti shpalli një qasje tjetër, që i merr seriozisht serbët e Kosovës, do të kishte qenë progres. Megjithatë, insistimi i kryeministrit Kurti për të pasur një dialog nga poshtë-lart me serbët e Kosovës pa Serbinë dështoi.

Kurti, në mënyrë të parashikueshme u bë viktimë e botëkuptimit të tij dogmatik që i imagjinon serbët e Kosovës si qytetarë të pavarur. Serbët e tillë të Kosovës, pra në veri, megjithatë nuk ekzistojnë dhe nuk do të ekzistojnë derisa të kemi një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që bazohet në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ku do t’u mundësojë serbëve të Kosovës të bëhen anëtarë të plotë të Kosovës, shtetit dhe shoqërisë, pra qytetarë të lirë.

Çfarë mendoni, cili është synimi final i BE-së me Ballkanin në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti dhe a e ka strategjinë e nevojshme për ta realizuar këtë qëllim, cilido qoftë ai?

Bodo Weber: Qëllimi final i BE-së është që gjashtë vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor të jenë anëtarë të plotë të Unionit. Megjithatë, që kur Britania e Madhe u largua nga BE-ja dhe me ngritjen e presidentit francez Macron, uniteti për këtë qëllim është minuar. Dhe për shumë se një dekadë e gjysmë, BE-së i mungon ndonjë strategji e qartë se si të arrijë qëllimin e saj në Ballkanin Perëndimor. Kjo nuk ka ndryshuar me luftën në Ukrainë dhe vëmendjen e re ndaj rajonit. Por duhet të ndryshojë urgjentisht.

A keni një epilog në Kosovë, si do të zgjidhet çështja Kosovë – Serbi? A mos duhet të kthemi sërish të opsioni i shkëmbimit territorial, i cili u zhduk nga skena, akoma pa u shqyrtuar krejtësisht?

Bodo Weber: Nuk ka asgjë për të eksploruar atje – një marrëveshje e shkëmbimit të territoreve, bazuar në konceptin etno-territorial që çoi në luftërat e përgjakshme ballkanike të viteve 1990, do ta kthente rajonin në kaos të dhunshëm dhe do të destabilizonte jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por Evropën në tërësi dhe Perëndimin. E vetmja zgjidhje reale dhe e qëndrueshme për këtë çështje është një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që përfshin njohjen formale të Republikës së Kosovës nga Serbia. Për të arritur atje, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të arrijnë në një strategji të re politike të përcaktuar qartë ndaj Serbisë dhe regjimit të Vuçiqit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Foshnja e parë e lindur në Maqedoninë e Veriut në…