Weber: Perëndimi me qasje të padrejtë ndaj Kosovës në vitet e fundit
Situata rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, po ndryshon nga ora në orë. Nuk është shumë e qartë se çfarë do të ndodhë më 17 maj, në Strasburg, kur Komiteti i Ministrave i kësaj organizate të mblidhet për një takim vjetor.
Teksa temë kryesore e javëve të fundit ka qenë Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, jo të paktë kanë qenë ata që e kanë kritikuar Perëndimin për kushtëzimin e inkuadrimit të Kosovës në Këshill me bërjen e hapave drejt themelimit të tij.
Qasja e Francës dhe e Gjermanisë përmes kushtëzimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) me hedhjen e hapave drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është për t’u admiruar, sidomos për faktin se ato janë të bindura se Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj organizate, se ato janë vende të QUINT-it, dhe se flasin me plot gojën në mbështetje të Kosovës – kështu vlerëson Engjëllushe Morina nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.
Ajo pohon se njoftimi i Kosovës se po përgatit një draft-statut për themelimin e “një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, duhet të jetë argument i mjaftueshëm për Perëndimin, sepse, sipas saj, tregon gatishmërinë e Kosovës për t’i adresuar brengat rreth komunitetit serb.
“Secila lëvizje, sado e vogël të jetë, në drejtim të formimit të Asociacionit, do të mjaftojë në këto momente”, thotë Morina për REL-in.
Sipas saj, ky është momenti kur duhet të përkrahet Kosova, pasi anëtarësimi në Këshill – organizatën lidere për të drejta të njeriut – do të sillte shumë përfitime për qytetarët e këtij vendi, përfshirë minoritetet.
Por, Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, nuk është optimist.
“Jam skeptik, duke marrë parasysh se refuzimi i Qeverisë së [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti për të prezantuar draftin e vet, ka shtyrë [të dërguarin evropian për dialog, Mirosllav] Lajçakun dhe QUINT-in të hartojnë propozimin e tyre, dhe për faktin që Prishtina po kërkon nga Berlini, Parisi dhe Roma të votojnë këtë javë për diçka që do të mund ta shohin më vonë”.
Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës do të mblidhet më 16 dhe më 17 maj. Kosova nuk është në agjendë, dhe ka pak mundësi të futet.
I pyetur nëse vendimi i Kosovës për të hartuar një draft-statut për Asociacionin do ta bindë Francën dhe Gjermaninë, Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet thotë për Radion Evropa e Lirë se diplomacia ka të bëjë me argumentim, ndonëse, sipas tij, letra që Kosova ia ka shkruar Këshillit të Evropës për hapat drejt Asociacionit, ka ardhur pak me vonesë.
“Kosovës i nevojiten argumente të forta, ajo i ka ato… I takon Qeverisë së Kosovës që t’i bindë të gjithë se është serioze, se ka qenë serioze në muajt e fundit”, pohon Knaus, i cili beson se Asambleja Parlamentare e KiE-së e ka thënë fjalën e vet, kur më 16 prill e ka mbështetur raportin e deputetes greke, Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.
“Nëse Komiteti i Ministrave nuk e respekton rekomandimin e Asamblesë Parlamentare, atëherë kemi një krizë. Nuk është krizë për Kosovën, është krizë për institucionin”, vlerëson Knaus.
Pse kjo qasje e Perëndimit ndaj Kosovës?
Analisti Weber beson se Perëndimi ka pasur në vazhdimësi qasje të padrejtë ndaj Kosovës në vitet e fundit, dhe, sipas tij, kjo qasje bazën e ka te “dialogu i dështuar” Kosovë-Serbi.
Dy arsyet kryesore, sipas tij, janë:
-Distancimi prej kornizës fillestare për negocimin e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse, për një marrëveshje të ndërmjetme, sikurse ajo Bazë dhe ajo e Ohrit, pa një strategji afatgjate; dhe
-Qasja e Perëndimit, që nuk i përcakton vetë rregullat, por e ledhaton dhe e pyet Serbinë se çfarë është në gjendje të pranojë.
Nuk është hera e parë”
Gjithë diskutimet nëse Kosova do të mund të anëtarësohet ose jo këtë javë në Këshillin e Evropës, nuk përbëjnë diçka të padëgjuar më parë për Weberin.
Ai rikujton se ngjashëm ka ndodhur edhe në të kaluarën, duke përmendur shembullin e mosanëtarësimit të Kosovës në Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL).
Sipas analistit gjerman, diçka e tillë ka ndodhur dhe mund të ndodhë prapë në të ardhmen, jo pse do të ketë kundërshtime prej vendeve mosnjohëse, por sepse Kosova nuk koordinohet si duhet me aleatët e saj.
Përveç kushteve lidhur me anëtarësimin nëpër organizata ndërkombëtare, Weber e sheh si të padrejtë qasjen e Perëndimit ndaj Kosovës edhe me vënien e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës për tensionet në veri, në maj të 2023-ës, teksa nuk e ka ndëshkuar Serbinë për sulmin e armatosur në Kosovë, në fshatin Banjskë, po atë vit – për të cilin Beogradi e mohon përfshirjen – apo për mënyrën se si janë mbajtur zgjedhjet e dhjetorit në Serbi.
Çfarë duhet të bëjë Kosova?
Weber i var shpresat te përbërja e re diplomatike pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, pasi, tani për tani, Prishtina nuk ka shumë për të bërë.
“Shpresoj që do të krijohet një mundësi e re për të shtyrë Perëndimin që të ndryshojë qasjen në dialog, dhe të pranojë se qasja aktuale nuk është duke funksionuar, dhe se ekziston nevoja për një strategji të re”, thotë Weber.
Morina vlerëson se duhet të rishikohet procesi i dialogut, “…për të parë se sa mund të sjellë benefite ky proces i dizajnuar kësisoj, apo nëse duhet të ridizajnohet komplet. Këtu, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë kontributin e vet dhe duhet të angazhohet për të treguar se si e paramendon Kosova zgjidhjen e Asociacionit përmes procesit të dialogut”.
Tema e Asociacionit aktualizohet shpesh në Kosovë, qysh prej vitit 2013, atëherë kur vendi e ka arritur një marrëveshje me Serbinë për formimin e tij.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia ngulmon që Kosova t’i zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar disa herë kundër një asociacioni njëetnik. /REL/