Weber thotë se zgjedhjet e reja nuk janë në favor të opozitës
Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje është e pashembullt në Kosovë dhe nëse ky vend nuk përballet sërish me zgjedhje, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shumë punë para vetes. Por, edhe nëse zgjedhjet mbahen, për shkak të mospajtimeve eventuale për pozitën e presidentit, një skenar i tillë nuk është në favor të partive opozitare. Kështu ka vlerësuar Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politika të Demokratizimit në Berlin.
“Është e vështirë të supozohet se ato, (partitë opozitare) do të dilnin më mirë në zgjedhjet e reja, të cilat vetëm do të ndërprisnin formimin e Qeverisë Kurti për disa muaj, si dhe do të rrezikonin shëndetin e qytetarëve, duke mbajtur zgjedhje të reja në kushte të pandemisë. Kjo vetëm do ta dëmtonte opozitën dhe përfundimi do të ishte po i njëjtë, ose Kurti do të fitonte përqindje edhe më të madhe”, ka thënë Weber në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”.