Weber: Turqia nuk mund të jetë anëtare e BE-së
Turqia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, ka thënë kandidati i Partisë Popullore Evropiane (EPP), për zgjedhjet e ardhshme evropiane, Manfred Weber.
Përveç tjerash, ai ka përmendur se do t’i japë fund bisedimeve për anëtarësimin e këtij shteti nëse bëhet president i Komisionit Evropian, transmeton Reuters.
Turqia në anën tjetër ka thënë se anëtarësimi në BE, mbetet një nga qëllimet strategjike kryesore, ndonëse bisedimet për anëtarësim, që kanë nisur zyrtarisht më 2004, janë bllokuar për vite të tëra.
Weber, kandidat i partisë së qendrës së djathtë për pozitën e presidentit të Komisionit Evropian ka thënë megjithatë në Bavari të mërkurën se “secili dëshiron të ketë marrëdhënie më të mira me Turqinë dhe se secili dëshiron të bashkëpunojë më shumë”.
“Mirëpo nëse unë bëhem president i Komosionit, atëherë unë do t’i udhëzoj zyrtarët në Bruksel që të ndalin bisedimet me Turqinë për anëtarësim në BE”, ka thënë ai në një fjalim.
“Turqia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, le ta bëjmë të qartë”, ka thënë Weber.
Në muajin tetor të vitit të kaluar, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ai do të konsiderojë organizimin e një referendumi rreth kërkesës për anëtarësim në BE, duke shprehur pakënaqësitë në këtë proces, për të cilin ka thënë se është paragjykues kundër myslimanëve./rel/