Weber: Vuçiqi nuk e zbaton marrëveshjen me Kosovën, ëndrra e tij është rikthimi i Trumpit
Studiuesi i mirënjohur gjerman, Bodo Weber, beson se Serbia do të provojë ta zvarrisë zbatimin e marrëveshjes bazike derisa kjo marrëveshje në fakt “të vdesë” dhe se “ëndrra e përhershme” e presidenti serb, Aleksandër Vuçiq është kthimi i Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës, studiuesi gjerman e ka quajtur të gabuar, ku madje ka fajësuar edhe Perëndimin, i cili ka lejuar të ndodhë një gjë e tillë.
Sipas tij largimi nga institucionet “ishte mashtrim i madh i serbëve nga Beogradi dhe Lista Serbe”.
Integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, Weber e ka quajtur “arritjen më të madhe” duke iu referuar marrëveshjes së Brukselit të prillit të vitit 2013, ndërsa me daljen e serbëve e ka cilësuar rikthimin në gjendjen para dialogut.
“Në mendimin tim, gabimi themelor i Perëndimit ishte që lejoi këtë. Përveç kësaj, qartazi, atyre serbëve që i lanë institucionet, Beogradi dhe Lista Serbe ju premtuan gjëra që çojnë në shkëputjen e veriut, por u mashtruan keq. Pra, çoi në një eskalim që s’e kishim parë asnjëherë në historinë e dialogut”, ka thënë Weber për “Slobodno Srpski”.