Weberi: Vazhdimi i dialogut varet nga zhbllokimi i perspektivës evropiane
Zhbllokimi i perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian është parakusht për ringjalljen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politika të Demokratizimit në Berlin.
Sipas tij, ky zhbllokim duhet të ndodhë, ndërmjet Qeverisë gjermane dhe presidentit francez, Emannuel Macron. Pa plotësimin e parakushteve, ai shprehet mjaft skeptik se të dërguarit e posaçëm të BE-së dhe ShBA-së, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar, mund të rinisin një dialog serioz Kosovë-Serbi.
Raportet e tensionuara ndërmjet të dyja vendeve, sipas tij, më shumë i konvenojnë Serbisë, ndërsa palën e Kosovës e sheh në një pozicion politik shumë më parimor ndaj negociatave.
“Në përgjithësi, unë këtë e shoh si përpjekje për të ngjallur negociatat, të cilat nuk kanë lëvizur nga pika e ngecjes që nga viti i kaluar, pavarësisht ardhjes në pushtet të administratës së (presidentit të ShBA-së, Joe) Bidenit. Por, jam mjaft skeptik dhe nuk besoj se do të kenë sukses. Kemi parë vitin e kaluar që angazhimi i forcuar nuk është se sjellë rezultate. Ndërkaq, këtë vit, kam frikë se e kemi situatën e njëjtë. Thjesht, mungojnë parakushtet e caktuara që të arrihet deri te diçka serioze, që është e nevojshme tash e disa vjet dhe që është rinisja më në fund e bisedimeve për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, ka thënë ai, duke përmendur dy parakushte.
“Së pari, duhet të arrihet deri te zhbllokimi i perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse ky është parakusht i rëndësishëm që BE-ja të ketë fare ndikim në Serbinë, në kuptimin e një marrëveshjeje përfundimtare, e cila – siç e kanë të gjithë të qartë – duhet të përmbajë më në fund edhe njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Parakushti i dytë, ku ende nuk kemi arritur, ka të bëjë me këtë zhbllokim, i cili duhet të ndodhë, ndërmjet Qeverisë gjermane, e cila angazhohet për ringjalljen e politikës së zgjerimit dhe presidentit francez, (Emannuel) Macron, i cili ka qenë frenuesi më i madh i perspektivës së anëtarësimit. Kur ky parakusht të përmbushet, atëherë duhet të arrihet deri te diçka e ngjashme, të cilën zoti Lajçak dhe Escobar po përpiqen ta bëjnë në fund të këtij muaji. Ky është një lloj rifillimi (i bisedimeve), por unë mendoj që ky rifillim do të duhej të vinte nga niveli më i lartë i Bashkimit Evropian dhe ShBA-së, gjegjësisht, gjithsesi nga Berlini dhe Uashingtoni”, është shprehur Weberi.