Wengeri: E kam refuzuar disa herë Realin
Arsen Wenger qëndroi 22 vite tek Arsenali, duke qenë një nga trajnerët më jetëgjatë me një ekip. Francezi e mbylli aventurën e tij me “topçinjtë” në fund të sezonit të kaluar dhe po punon si komentator për “beIN SPORTS”.
Emri i tij është lakuar si kandidat për stolat e disa ekipeve të mëdha, por Wenger nuk dëshiron të nxitohet për t’u rikthyer në rolin e trajnerit. Së fundmi ai ka zbuluar disa detaje nga e kaluara e tij. Reali i Madridit është një klub i parefuzueshëm, por francezi e ka bërë, madje më shumë se njëherë. Në prononcimin e dhënë për “beIN SPORTS”, 69-vjeçari shpjegon dhe shkaqet e refuzimeve ndaj “Los Blancos”.
“E kam refuzuar Realin e Madridit më shumë se një herë. Tani nuk ekzistojnë shumë shanse për mua, por nëse do të pyesni cilindo trajner nëse do të donte të shkonte në klubin më të madh në Evropë, do të përgjigjej pozitivisht. Çdokush do të thoshte po. Isha në qendër të projektit të Arsenalit. Ndërtuam stadiumin e ri dhe kisha detyrime kundrejt klubit. Dëshironim të tregonim që ia vlente gjithë ai investim dhe unë u garantova se do të qëndroja. Jam mjaft i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë”, ka thënë Wenger.