Werderi fundos Paderbornin e ‘rekordmenit’ Gjasula
Werder Bremen ka fituar bindshëm 5-1 sfidën për mbijetesë në Bundesliga ndaj Paderbornit të mesfushorit shqiptar Klaus Gjasula, i cili ka vendosur një rekord negativ në Bundesliga.
“Luftëtari” shqiptar, në fakt, është bërë lojtari me numrin më të madh të kartonëve të verdhë (17) të marrë në një sezon të kampionatit gjerman.
Nuk ka qenë një ditë e mirë as për shqiptarin tjetër, Milot Rashica, i cili ka humbur një penallti në minutën e 18-të.
Gjithsesi, skuadra e tij ka arritur të marrë tri pikët me një fitore bindëse, raporton “Telesport”.
Ndërkohë, Freiburgi i Amir Abrashit ka bërë një mrekulli duke shmangur humbjen ndaj Wolfsburg, që ka shpërdoruar një avantazh prej dy golash. Sfida, të cilën mesfushori kuqezi ka qenë i detyruar ta ndjekë nga stoli, është mbyllur 2-2.
Eintracht Frankfurt ka fituar 4-1 me përmbysje në shtëpinë e Hertha Berlin. Ish-milanisti Piatek ka zhbllokuar ndeshjen për vendasit, por miqtë janë kundër përgjigjur në pjesën e dytë.
Protagonisti i sfidës ka qenë Silva, që ka realizuar golin e dytë të ekipit të tij me finte dhe ka fiksuar shifrat në 4-1 në fundin e takimit. Portugezi ka shënuar 6 gola që nga rifillimi i Bundesligas, asnjë lojtar nuk ka shënuar aq sa ai.
Duhet theksuar se Hertha ka mbetur me 10 lojtarë në fundin e pjesë së parë pas kartonit të kuq të marrë nga Boyata. Fitore e rëndësishme edhe për Union Berlin që ka mposhtur 2-1 në transfertë Kolnin.