Wesley Clark: 20 vjet më parë ndalëm spastrimin etnik në Kosovë
Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark, i cili kishte drejtuar fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, në një intervistë për shërbimin rus të “Zërit të Amerikës”, ka thënë se bombardimet patën ndaluar pastrimin etnik në Kosovë.
Në këtë kontekst, Clarku ka thënë se NATO-ja nuk kishte zgjidhje tjetër.
Ai ka theksuar se përpjekje për të shmangur luftën në Kosovë ishin bërë që në fillim të viteve të ’90-ta kur perëndimi ishte bërë i ndërgjegjshëm për gjendjen e rëndë në Kosovë.
Atëherë presidenti George H. Bush kishte paralajmëruar presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, se do të përballet me pasoja të rënda nga Shtetet e Bashkuara nëse fillon spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës, në atë që quhej paralajmërimi i krishtlindjeve në dhjetor të vitit 1992.
Ai ka kujtuar përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në Bosnje dhe rolin e tyre për arritjen e marrëveshjes së Daytonit, e cila i pati dhënë fund luftës atje. Clarku ka thënë se në atë kohë janë bërë përpjeke për të biseduar me Sllobodan Millosheviqin, për çështjen e Kosovë, por ai kishte refuzuar duke e cilësuar atë si “çështje të brendshme”.
Gjenerali Clark e ka përshkruar situatën e rëndë në Kosovë dhe shkeljet e shumta të të drejtave të njeriut nga autoritetet serbe. Ai ka përkujtuar sulmin mbi familjen Jashari në fshatin Prekaz të komunës së Skenderajt në Kosovën qendrore në fillim të vitit 1998, ku u patën vrarë 54 anëtarë të familjes, gjë që ka shënuar edhe fillimin e luftës së armatosur.
“NATO-ja lëshoi një paralajmërim në takimin e ministrave në muajin maj dhe pastaj unë mora detyrën të përgatis planet në maj të vitit 1998. Ambasadori Richard Holbrooke, shkoi në qershor dhe u takua me Slobodan Millosheviqin dhe më lidhi në telefon me të dhe i thashë: ‘të lutem mos ua bëj këtë shqiptarëve’. Ai më tha: ‘gjeneral Clark, ata janë njerëzit e mi dhe nuk do t’i lëndojë’. Por, sigurisht kjo ishte një gënjeshtër sepse spastrimi etnik tashmë po ndodhte”, ka deklaruar Clarku.
Më tutje, ai ka thënë se kishin vazhduar paralajmërimet dhe në vjeshtën e vitit 1998 Kombet e Bashkuara patën miratuar rezolutën 1199 të forcuar më planin e veprimit të NATO-s. “Përpjekjet e të dërguarit amerikan Christophet Hill, nuk dhanë rezultate, ndërsa pas masakrës së Reçakut, një fshat në jug të Prishtinës ku ishin vrarë 45 civilë shqiptarë, ka filluar procesi i negociatave në Rambuje. Atje Serbia kishte refuzuar të nënshkruajë marrëveshjen që i jepte Kosovës vetëqeverisje thelbësore dhe parashihte vendosjen e trupave të NATO-s në terren për të siguruar zbatimin e marrëveshjes. NATO-ja pas spastrimit të ri etnik të shkallë të gjerë në mars të vitit 1999, nuk kishte zgjidhje tjetër përveç ndërhyrjes, ka thënë Clarku.
Ai ka thënë se ndërhyja e NATO-s kundër Serbisë ishte zgjidhja e fundit, pasi sipas tij kjo organizatë nuk mund të lejonte një spastrim të ri etnik në Kosovë.
“Ne përdorëm forcën vetëm si zgjidhjen fare, fare të fundit. Por, NATO-ja nuk mund të lejonte një raund të ri të spastrimit etnik nga serbët. Sapo kishim ndaluar një gjë të tillë në Bosnje dhe nuk mund të lejonim një gjë të tillë të ndodhte sërish në Kosovë dhe prandaj u përgjigjëm me forcë, pasi provuam të gjitha mundësitë tjera. Dhe, pasi që rusët refuzuan të ndihmojnë…. Pikëpamja ruse ishte se kjo është çështje e brendshme serbe dhe nëse ata duan të vrasin një milion njerëz, kjo është e drejta e tyre. Por, kjo nuk është pikëpamja jonë. Ne besonim në të drejtën e çdo individi që të ketë liri dhe dinjitet në pajtim me deklaratën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe nuk mund të lejonim tragjedinë njerëzore të godiste sërish Kosovën”, ka deklaruar Clarku.
Kur bombardimet patën filluar më 24 mars të vitit 1999, Clarku ka thënë se askush nuk e dinte se si do të përfundonte e tëra.
“Mund të përfundonte me pushtim të plotë të Jugosllavisë dhe ishte në duart e Millosheviqit. Dhe, ai më në fund e kuptoi se të jesh kundër NATO-s është e pafrytshme dhe u dorëzua”, është shprehur Clarku.
Gjenerali Clark ka hedhur poshtë pohimet ruse sipas të cilëve ka pasur shumë të vrarë nga bombat e NATO-s dhe ndërhyrja e saj ishte e paligjshme dhe e padrejtë.
Ai ka përmendur faktin se para se të goditej ndërtesa e Radiotelevizionit të Serbisë, Sllobodan Millosheviqi ishte paralajmëruar në mënyrë që të shmangeshin viktimat.
“Ideja nuk ishte të vriten njerëzit por të ndërpritej spastrimi etnik në Kosovë, që po e kryenin trupat e tij dhe ai nuk mund t’i shmangej përgjegjësisë”, ka thënë Clarku.
Ai ka përmendur fshehjen e trupave të shqiptarëve të vrarë, përfshirë edhe zbulimin e kamionit frigorifer me trupat e shqiptarëve në Serbi.
Clarku ka thënë se NATO-ja ka bërë gjënë e duhur, pasi ka ndaluar spastrimin etnik në Kosovë nga ana e Serbisë.
“1.4 milion shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. 900 mijë ikën në Shqipëri. 500 mijë fshiheshin pyjeve. Serbët po i ndiqnin dhe po përpiqeshin t’i vrisnin. Ne i dhamë fund tërë kësaj dhe jam krenar për atë çfarë bëri NATO-ja”, ka theksuar Clarku.
Rusia, ka thënë Clarku ishte në anën e gabuar të historisë në rastin e Kosovës. Duke kujtuar periudhën e 12 qershorit të vitit 1999, kur trupat e tij ishin gati të hynin në Kosovë, ai ka thënë se një kontingjent trupash ruse ishte futur fshehurazi në Kosovë nga Bosnja dhe ishte vendosur në aeroportin e Prishtinës, duke e ndërlikuar hyrjen e NATO-s.
Por, ai ka mohuar të ketë kërkuar përplasje me rusët nga komandanti i trupave paqeruajtëse të NATO-s atëbotë, gjenerali britanik, Mike Jackson. Ai ka thënë se gjenerali Jackson nuk kishte pranuar të dërgojë helikopterët në aeroportin e Prishtinës, por nuk i është kërkuar kurrë të sulmojë trupat ruse.