Wess Mitchell: E kemi shtuar komunikimin me Serbinë dhe Kosovën
Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Wess Mitchell bëri një pasqyrë të politikës amerikane në Evropë duke theksuar se kontinenti është edhe një herë një teatër i konkurrencës serioze strategjike.
Në një seancë dëgjimore para një nënkomisioni të Senatit për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal, diplomati amerikan tha se Evropa po përballet me presione në shumë fronte si fushatat strategjike nga Rusia dhe Kina, vala rekord e imigracionit, ambiciet e Iranit në Mesdhe dhe një krizë besimi në institucionet evropiane.
“Rusia dhe Kina janë veçanërisht agresive në Evropën Qendrore dhe Lindore. Përparësia jonë është të frenojmë agresionin rus”, tha ndihmës sekretari Mitchell.
“Ne kërkojmë një marrëdhënie më të mirë me Rusinë. Por kjo mund të ndodhë vetëm kur Rusia të ndalë sjelljen e saj agresive. Ne nuk do të bëjmë kompromis me parimet tona apo aleatët tanë. Siç tha Sekretari Pompeo, vitet e politikës së butë që mundësuan agresionin rus kanë marrë fund; ne do të vazhdojmë t’ia rrisim kostot agresionit rus, derisa Presidenti Putin të zgjedhë një rrugë të ndryshme”, tha ai, raporton Zëri i Amerikës.
Shtetet e Bashkuara po ndërtojnë një strategji afatgjatë për të forcuar praninë amerikane në Mesdheun Lindor duke kultivuar Greqinë si një shtyllë stabiliteti në Mesdhe dhe në Ballkanin Perëndimor dhe duke punuar për të forcuar sistematikisht sigurinë dhe bashkëpunimin energjitik me Qipron.
Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën tha se Shtetet e Bashkuara po rrisin angazhimin e tyre në Ballkanin Perëndimor.
“Përmes një diplomacie aktive dhe koordinimi të ngushtë me BE-në, ne mbështetëm udhëheqësit vizionarë, kryeministrin Tsipras dhe kryeministrin Zaev për arritjen e një marrëveshjeje historike në ngërçin për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ne kemi shtuar komunikimin me Serbinë dhe Kosovën dhe po promovojmë reforma në Bosnjë-Hercegovinë”, tha Mitchell.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të senatores Jeanne Shaheen lidhur me demonstratat e zhvilluara në Greqi dhe Maqedoni dhe mundësinë që këto zhvillime të ndikojnë negativisht në ratifikimin e marrëveshjes, ndihmës sekretari i Shtetit tha se është i shqetësuar nga mundësia e një ndërhyrjeje të Rusisë, e cila u pa qartë në Malin e Zi.
Ai tha se përfaqësuesit rusë kanë bërë deklarata kërcënuese duke e bërë situatën shqetësuese.
“Ua kemi bërë të qartë rusëve se po e monitorojmë situatën nga afër dhe se nuk i takon Moskës të vendosë për të ardhmen e Maqedonisë”.
Ndihmës sekretari i Shtetit e sheh zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë të një përmase si marrëveshja e Dejtonit që i dha fund konfliktit të viteve 90 në Ballkan. Ai tha se efektet e suksesit të marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë do të shërbejnë si një mundësi e mirë për të vazhduar zgjidhjen e problemeve të tjera në Ballkan, si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjendja në Bosnje-Hercegovinë.