Ramiz Lladrovci: Qortimi nga SHBA-të është lajm i mirë vetëm për armiqtë tanë dhe dëshmi sa poshtë kemi ra
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është dëshmi se sa poshtë ka rënë Kosova.
Ky reagim i Lladrovcit vije një ditë pasi ndërkombëtarët, specifikisht SHBA-të qortuan rëndë Kosovën për veprimet e fundit të Qeverisë Kurti karshi serbëve të Kosovës.
“Ky është qortim i dytë i rëndë me terma diplomatik si “kufizim i avokimit”, brenda pak ditësh nga aleati ynë më besnik. Kjo çdo atdhetar duhet ta brengosë. Lojë me shtet nuk ka.
Nga perspektiva 40 vjeçare politike, Kosova dhe populli i saj, mori sanksione të paimagjinueshme. Sanksionet erdhën nga shtetet mike që na ndihmuan me bukë, me ndërkombëtarizim të çështjes tonë, me pranimin e qytetarëve tanë që iknin nga regjimi serb, na përkrahën me ndihma gjithëpërfshirëse, me strehim dhe në fund, na përkrahën me bombardimet e caqeve ushtarake serbe.
Na ndihmuan të formojmë shtetin, të kemi polici, ushtri, diplomaci, ekonomi dhe fushat tjera, na ndihmuan ta forcojmë shtetin, të kemi njohje ndërkombëtare dhe të kemi zhvillim në pajtim me vlerat e aleatëve tanë.
Përkrahja amerikane ishte konsistencë nga Presidenti ëilson e deri te Presidenti Bajden, mbi 100 vjet. “, ka shkruar ndër të tjera Lladrovci.
Tutje, ai thotë se qortimi nga SHBA-të është ogur i keq për shtetin tonë, ngase nuk mund të gjejmë as mbrojtës e as avokat më të mirë, më të sinqertë e më të vendosur se Amerikën.
“Qortimi amerikan është lajm i mirë vetëm për armiqtë tanë. Pas këtij qortimi, kah do të shkojë Kosova dhe cilët do të jenë avokuesit e shtetit dhe shtetësisë tonë?”, ka përfunduar shkrimin z. Lladrovci në profilin e tij në Facebook.