Wieland: Jo, ndryshimit të kufijve
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, ka deklaruar në Prishtinë se arritja e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes ndryshimit të kufirit nuk është ide e mirë.
Edhe pse e mbështeti dialogun Kosovë-Serbi si të vetmen zgjidhje mes dy vendeve, duke përmendur edhe qëndrimin e kancelares gjermane Angela Merkel, zyrtari i lartë europian nënvizoi se ndryshimi i kufijve mund të sjellë më shumë probleme se sa arritje pozitive.
“Ne nuk mendojmë se është një hap i mirë te ndryshohen kufijte në këtë zone, sepse kufijtë këtu janë të veçantë dhe kjo çështje është shumë më e ndjeshme sesa në rajone të tjera kudo nëpër botë. Ia thashë kryeministrit Haradinaj se në momentin e parë që dëgjova se disa persona janë duke propozuar ndryshimin e kufijve duke u bazuar në disa marrëveshje, unë u shqetësova shumë. Por, në anë tjetër, u ndjeva i lumtur nga qëndrimi i kancelares gjermane Angela Merkel dhe i koalicionit tonë qeverisës, të cilët e sqaruan se ne nuk mendojmë se është një hap i mirë te ndryshohen kufijtë”, ka thënë Rainer Wieland.
Wieland foli edhe për liberalizimin e vizave, duke u bërë apel udhëheqësve politikë.