Wigemark, shef i ri i EULEX-it në Kosovë
Është emëruar shefi i ri i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ai do të jetë Lars-Gunnar Wigemark.
Sipas njoftimit të këtij misioni, mandati i tij do zgjasë nga 1 dhjetori deri më 14 qershor 2020.
“Z. Wigemark, shtetas i Suedisë, më përpara ka qenë Shef i Delegacionit të BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Përfaqësues Special i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë. Si Shef i ri i Misionit EULEX Kosova, ai do ta drejtojë mbështetjen e këtij Misioni për institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugëtimin e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në pajtim të plotë me praktikat më të mira të BE-së”, thuhet në fund të njoftimit.
Misioni i EULEX-it ka filluar punën në Kosovë në vitin 2008 në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.
EULEX-i mbështetet nga të gjitha 28 Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga pesë shtete kontribuuese (Kanadaja, Norvegjia, Zvicra, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara)