Wijnaldumi: PSG-ja është si Liverpooli
Vetëm pak javë më parë është folur për pakënaqësi dhe një largim të tijin të mundshëm nga Parisi. Georginio Wijnaldum duket se ka ndryshuar mendim, ose më mirë, ka shpjeguar “pakënaqësinë” e tij për revistën e PSG-së.
“Fakti është se kur kam bërë intervistën në të cilën kam thënë se gjërat nuk po shkonin siç shpresoja, isha i zhgënjyer. Nuk po gjeja shumë hapësira dhe mendoj se kushdo, kur qëndron në stol, nuk është i lumtur”, ka thënë holandezi.
“Megjithatë, mediet i kanë interpretuar fjalët e mia sikur unë doja të largohesha. Por nuk është kështu”. Holandezi ka folur më pas për momentin e skuadrës, së cilës i kërkohet të fitojë në Francë dhe Evropë: “Duhet kohë për të formuar një skuadër të mirë, duhet të njihemi dhe të kalojmë pak kohë bashkë. Duke parë burimet që ka klubi, të gjithë presin që të fitojmë gjithçka, por nuk funksionon kështu. Këtë e them nga përvoja personale. Kur jam bërë pjesë e Liverpoolit, ajo ishte një skuadër në ndërtim dhe kjo vlen në njëfarë mënyre edhe për PSG-në”, ka shtuar mesfushori holandez.