Wilder: Së shpejti përballna me Ortizin, kam një këshillë për Joshuan
Deontay Wilder ka dhënë një intervistë për “ESPN”, ku ka folur për planet e së ardhmes së tij. Kampioni i botës u shpreh se fillimisht do të ndeshet me kubanezin Luis Ortiz, ndërsa më pas radhën e ka Tyson Fury, kundërshtar me të cilin synon ta sheshojë barazimin e dhjetorit të vitit të kaluar.
“Po duelet me Luiz Ortiz dhe Tyson Fury po bëhen gati. Fillimisht do ta lajmëroj datën dhe vendin për duelin me Ortiz. S’besoj se do të vonojë shumë. Më pas do të punojmë për Tyson Fury, me të do të ndeshemi nga fillimi i vitit tjetër. Jam një boksier që tenton të luftojë gjithmonë më të mirët, kështu u jap fansave duele interesante për t’u parë. Këtë gjë bëjnë kampionët”, ka thënë Wilderi.
Deontay Wilder ka dhënë edhe një këshillë për Anthony Joshuan. “Humbja ndaj Ruiz ishte shumë e dhunshme. Po të isha në vendin e tij s’do të ndeshesha përsëri me Ruizin. Këshilla ime për të është që të bëjë atë që mendon se është e drejtë. Do të ishte mirë të bënte një ndeshje nxehjeje me një kundërshtar të një niveli më të dobët. Kjo gjë do ta ndihmonte në aspektin mendor, do të fitonte shumë vetëbesim”, ka deklaruar Wilderi.