Wilderi braktis ringun për kafazin: Dua ta mbyll karrierën në MMA
Boksieri amerikan Deontay Wilder po planifikon të lërë ringun dhe të nisë një karrierë në MMA, disiplinë ku synon të luftojë përpara se të tërhiqet nga sporti. Wilderit i lindi kjo dëshirë pas duelit në mes të Francis Ngannout dhe Tyson Furyt.
Tifozët shpresojnë ta shohin Wilderin dhe Ngannoun të nënshkruajnë një marrëveshje me dy ndeshje, e cila do t’i shihte ata në kafaz dhe në ring. Gjithsesi, Wilderi ka konfirmuar interesimin e tij për MMA.
Duke folur për “Blue Blood Sports TV”, Wilderi ka deklaruar: “Po mendoj t’i bëj të dyja, UFC dhe boks. Do të jem një njeri i rrezikshëm në UFC me doreza më të vogla. Më vjen të marr një trup të madh dhe ta përplas, pastaj t’i hipi sipër dhe ta rrah keq”.
Wilderi nuk e ka përmendur Ngannoun si kundërshtar, por boksieri amerikan, ish-kampion bote në peshën e rëndë, ka marrë pjesë në seancat MMA derisa fliste me gazetarin e njohur Ariel Helwani në fillim të kësaj jave. Ai që e konfirmoi këtë gjë është vetë Ngannou.
“Deontay Wilder për disa muaj është trajnuar me MMA. Asgjë nuk është vendosur, por disa gjëra më kanë tërhequr vëmendjen, kështu që kjo është diçka që ka kuptim. Ai është vërtet serioz për t’u ndeshur në MMA. Është shumë i interesuar për MMA, por do të jetë një sfidë ndryshe për të”, ka deklaruar Ngannou.