Wilderi e konfirmon rimeçin me Furyn
Deontay Wilder ka këmbëngulur se gatishmëria e tij për t’i pranuar rimeçet me Luis Ortiz dhe me Tyson Fury është një përpjekje e pakrahasueshme për lavdi.
Kampioni i botës në kategorinë e rëndë në WBC, Wilder, do të përballet me Ortizin më 23 nëntor dhe tha se edhe rimeçi me Fury do të ndodhë patjetër, transmeton Gazeta Express. I pyetur nga Sky Sports nëse rimeçi i pritur me britanikun do të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm, boksieri amerikan ka thënë: “Po, patjetër. Jam i gatshëm. Edhe një rimeç”.
“Shikoje rrugën që po e marr. Çfarë duhet tjetër të dëshmoj? Kush e ka marrë rrugën që po e marr unë? Nuk jam i obliguar të ndeshem me të përsëri. Unë jam kampion, çfarë duhet të bëj. Do të ndeshem me Ortizin, pastaj Furyn dhe pastaj për unifikim: një kampion, një forcë, një emër. A e dini sa e mahnitshme do të ishte kjo?”, ka shtuar Wilderi.
Meçi i vitit të kaluar për titull të WBC-së mes Wilderit dhe Furyt u mbyll pa fitues.