Wilderi: Joshua po m’u përgjërohet për t’u përballur
Boksieri Deontay Wilder ka pretenduar se ekipi i Anthony Joshuas është duke e përgjëruar atë për një meç mes këtyre të dyve.
Fituesi i këtij meçi do të shpallej kampion i unifikuar në boks. Joshua i mban titujt IBF, WBO dhe WBA, ndërsa Wilderi arriti ta mbrojë titullin WBC në meçin kundër Tyson Furyt, i cili u zhvillua në fillim të këtij muaji dhe përfundoi baras.
“Ata janë duke m’u përgjëruar tani. Ai po tenton të kontaktojë me mua papritmas dhe menaxherët e tij po tentojnë të kontaktojnë me menaxherët e mi. Por, ai mund ta kishte pasur këtë mundësi. Ai kishte shumë mundësi. Ai mund të ishte ndeshur me Luis Ortizin, mund të ishte ndeshur me mua dhe e kishte mundësinë për t’u ndeshur edhe me Furyn. Njerëzit duan ta dinë se kush është më i mirë tani, veçanërisht pas meçit me Furyn”, ka thënë Wilderi, i cili ndihet më i miri deri kur të mposhtet nga dikush.