Wilderi kërkon përballje me Joshuan
Boksieri amerikan Deontay Wilder ka konfirmuar dëshirën dhe objektivin e tij për një duel të madh në sportin e boksit, duke zgjedhur si rival për këtë përballje, kampionin amerikan të peshave të rënda, Anthony Joshua.
Një përballje titanësh, që me shumë gjasa mund të ndodhë në vjeshtën e këtij viti, teksa në mars të dy boksierët do t’i mbrojnë titujt kampionë bote. Wilderi do ta mbrojë titullin më 3 mars ndaj kubanezit Luis Ortiz, ndërsa Joshua më 31 mars do të duelojë ndaj neo-zelandezit Joseph Parker, një përballje që do ta sjellë unifikimin e titujve kampionë. “Dueli i madh i peshave të rënda që unë synoj është mes meje dhe Joshuas. Kjo është ajo që unë dua. Kam dy vjet që e ftoj në një duel. Shumë njerëz shprehen se ai tani ka nisur të jetë profesionist, por unë jo, kam vite”, ka thënë Wilderi.
“U them njerëzve që t’i shohin gjërat në detaje dhe të më mbështesin në këtë nismë, që është në të mirë të boksit. Unë dua që të unifikohen titujt. Mua s’më interesojnë gjërat e tjera, thjesht të ketë një kampion të vetëm”, tha më tej Wilderi, kampion bote në peshat e rënda në kategorinë WBC. Ai do të duelojë në Nju Jork ndaj Ortizit më 3 mars, ndërsa sfida mes Parkerit dhe Joshuas do të zhvillohet në Kardif.